Nga Bosnja te Kosova! I pari i huaj te “Dardanët”, Adis Nurkovic: Isha si n’shpi, jam krenar për arritjen e play-offit!
Ish-portieri i Kombëtares së Kosovës, Adis Nurkovic, portieri i parë dhe i fundit i huaj që ka veshur fanellën e Kosovës, ka folur hapur në një intervistë ekskluzive për “Indeksonline.net” – për përvojën e tij unike me “Dardanët”, duke e cilësuar atë si një kapitull historik dhe emocional në karrierën e tij.
Edhe pse më parë kishte qenë pjesë e Kombëtares së Bosnja dhe Hercegovina, ftesa për Kosovën i erdhi krejt papritur.
“Gjithçka ndodhi shumë çuditshëm dhe rastësisht. Një mëngjes më telefonoi një mik dhe më pyeti nëse isha gati të bëhesha pjesë e Kombëtares së Kosovës. Më shpjegoi se po krijohej një përfaqësuese e re dhe se ekzistonte mundësia e ndërrimit të shtetësisë,” ka treguar ai për Indeksonline.net

Vendimi u ndikua edhe nga lidhjet personale me Kosovën.
“Bashkëshortja ime është nga Prizreni dhe kjo padyshim pati ndikim. Në fund doli të ishte një vendim i jashtëzakonshëm. Ishte nder të jem pjesë e historisë.”
Ai pranon se përgjegjësia ishte e madhe, pavarësisht përvojës së mëhershme ndërkombëtare.
“I dua sfidat, por kjo ishte diçka shumë e madhe. Të përfaqësosh një shtet në skenën ndërkombëtare është ndjenjë e veçantë, edhe pse më parë e kisha përjetuar me Bosnjën – kjo ishte krejt ndryshe.”
Debutimi i tij erdhi në rrethana të papritura, pas lëndimit të Samir Ujkanit.
“Samiri është një kapiten i vërtetë dhe lider. Kur u lëndua ishte e vështirë për të gjithë. Në atë moment nuk mendova shumë – e dija që ishte koha ime të hyja në lojë, pa nxehje, gjë që për një portier nuk është aspak normale.”

Edhe pse ndeshja u humb, emocionet mbetën të forta.
“Çdo sekondë në fushë do të mbetet në kujtesën time, por ajo që më ka mbetur më shumë është energjia dhe mbështetja e tifozëve. Ata ishin me ne nga minuta e parë deri në fund, pavarësisht rezultatit.”
Një kapitull i veçantë i përvojës së tij ishte mikepritja e jashtëzakonshme nga stafi dhe bashkëlojtarët, që sipas tij e bëri të ndihej menjëherë pjesë e familjes.
“Që nga dita e parë u ndjeva sikur isha aty që në fillim. Të gjithë ishin shumë komunikues, donin të flisnin, të ndanin informacione. Stafi profesional fliste të njëjtën gjuhë me mua dhe kjo më ndihmoi shumë”, vazhdoi tutje për Indeksonline.net
Ai ndan edhe një moment tejet emocional që e lidhi përjetë me ekipin.
“Në kohën e grumbullimit sapo kisha marrë lajmin se isha bërë baba. Bashkëlojtarët dhe stafi më përgatitën një surprizë – blenë dhuratë për vajzën time dhe më uruan. Kjo më preku thellë në zemër. Ishte një moment për gjithë jetën.”
Sot, ai punon si trajner portierësh dhe udhëheq akademinë e të rinjve, ndërsa vazhdon ta ndjekë me vëmendje Kombëtaren e Kosovës, duke u shprehur krenar për sukseset e fundit.
“Arritja në ‘play-off’ për Kupën e Botës është diçka e madhe. Jam jashtëzakonisht krenar për ta. Ishte vetëm çështje kohe.”
Duke folur për cilësitë e Kombëtares aktuale, ai është i qartë dhe optimist:

“Kosova ka një ekip shumë të ri, të uritur për sukses. Janë lojtarë që luajnë në klube të mëdha, në nivelet më të larta të futbollit evropian,” thotë ai, duke shtuar:
“Ajo që më pëlqen më së shumti tek kjo skuadër është mentaliteti – nuk dorëzohen kurrë, luftojnë deri në sekondën e fundit, përderisa ekziston qoftë edhe një për qind shans.”
Sipas tij, ky mentalitet është arma më e fortë e Kosovës.
“Kjo është një Kombëtare që ka ndërtuar karakter, ka përvojë të përbashkët dhe beson në vetvete. Kjo bën diferencën në ndeshje të mëdha.”
Në fund, emocionet janë ende të forta kur flet për Kosovën.
“Isha pjesë e saj për një kohë të shkurtër, por ekipi dhe tifozët më bënë të ndihem si i tyre. Sot çdo sukses i Kosovës e përjetoj me emocion të veçantë. Besoj se ky ekip ka edhe shumë për të arritur dhe shpresoj që të festojmë së bashku.”
Kujtojmë që Kosova gjatë këtij viti, saktësisht në muajin mars, luan ndeshjen e play-offit ndaj Sllovakisë. Në rast se e kalon pengesën e parë, e pret në “Fadil Vokrri” fituesin e ndeshjes Turqi – Rumani./Indeksonline/ Granit Tërstena/


