Nga debati me Donika Gërvallën, Anton Quni shkon te Papa

Deputeti i LDK-së, Anton Quni së bashku me gruan e tij, Mirjanën kanë udhëtuar për në Itali, ku kanë takuar ditën e sotme, Papa Leo XIV.
Quni këtë takim a ka cilësuar si përvojë të thellë shpirtërore dhe frymëzuese.
”Kjo ishte një përvojë e thellë shpirtërore dhe frymëzuese. Energjia e tij e qetë dhe urtësia që ndau me ne e bënë këtë takim vërtet të veçantë. Ndihemi të bekuar dhe thellësisht mirënjohës për këtë mundësi të jashtëzakonshme dhe për bekimet e tij.” ka shkruar ai në rrjetet sociale.
Në fotografitë e shpërndara në Facebook, shihet se gjatë takimit ai i bëri Papës një dhuratë që mbante fotografin e presidentit historik, Ibrahim Rugova.
Quni para disa ditësh pati një debat me deputeten Donika Gërvalla e cila e akuzoi atë dhe disa bashkëpartiakë të tij se u bënë bashkë me Listën Srpska dhe s’ia dhanë votën asaj për kryeparlamentare.
Quni tha se e ka “standard thelbësor” besnikërinë në politikë dhe tha se nuk mund t’ia besojë një post të rëndësishëm “një personi që ka ndryshuar anë dhe ka braktisur njësinë”.
“Kjo është njësoj sikur të avancosh në detyrë një ushtar që ka dezertuar një ditë më parë”, kishte shkruar ai. /IndeksOnline/