Nga Italia dhe Gjermania, dy të kërkuarit ndërkombëtarisht ekstradohen në Kosovë
Policia e Kosovës ka realizuar ekstradimin e dy personave të kërkuar ndërkombëtarisht, në bashkëpunim me autoritetet e Italisë dhe Gjermanisë.
Më 26 shkurt 2026, nga Italia është ekstraduar në Kosovë shtetasi kosovar M.Q, i arrestuar më parë nga autoritetet italiane për shkak të një urdhri arresti ndërkombëtar të lëshuar nga institucionet e drejtësisë së Kosovës, lidhur me veprën penale “Vjedhje e rëndë”. Pas ardhjes në Kosovë, M.Q është dorëzuar njësive të policisë në rajonin e Prishtinës për procedurat e mëtejshme ligjore.
Ndërkaq, më 27 shkurt 2026, nga Gjermania është ekstraduar shtetasja nga Shqipëria V.L, e kërkuar me urdhër arrest ndërkombëtar për veprën penale “Marrja apo mbajtja e kundërligjshme e fëmijës”. Ajo është dorëzuar njësive përkatëse të policisë për ndjekje të mëtejshme ligjore.
Policia e Kosovës njofton se të dy ekstradimet u realizuan në përputhje me ligjet në fuqi dhe falë bashkëpunimit të ngushtë ndërmjet institucioneve të Kosovës dhe atyre italiane e gjermane.
Drejtoria për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor e Kosovës do të vazhdojë shkëmbimin e informacionit me institucionet vendore dhe ato ndërkombëtare për të parandaluar, hetuar dhe zbuluar aktivitete kriminale, si dhe për të ndjekur dhe arrestuar personat dhe grupet kriminale që veprojnë brenda dhe jashtë vendit./IndeksOnline/

