75 Mall Live Search
11:52 / E Hënë, 03 Nëntor 2025 / KV

Nga Kosova në Mynih: Historia frymëzuese e inxhinierit që udhëheq 41 inxhinierë dhe menaxhon rrjetin e trenave të qytetit

Në mesin e qindra mijëra bashkatdhetarëve që u nisën dikur drejt një jete më të mirë, historia e Albatrit Maliçit, të lindur më 27 korrik 1991 në Gjilan, është një shembull se si përkushtimi, dija dhe vlerat familjare mund ta çojnë njeriun shumë larg, pa harruar rrënjët e veta.

Pas mësimeve të para në Konçul e Prishtinë, Albatriti në vitin 2005 u shpërngul me familjen në Mynih të Gjermanisë, ku nisi rrugëtimin e tij drejt inxhinierisë. Nga bankat e shkollës teknike, në vitin 2016 ai përfundoi Bachelor of Engineering në University of Applied Sciences in Munich, ndërsa më 2019 mori edhe titullin Master of Engineering, në drejtimin Inxhinieri Ndërtimtare.

Përvojën profesionale e nisi në kompaninë e njohur Ed. Züblin AG, ku punoi si inxhinier ndërtimi, përpara se të kalonte në Komunën e Mynihut, si projektmenaxher i mirëmbajtjes së infrastrukturës nëntokësore (U-Bahn).

Vetëm katër vite më vonë, ai u promovua si team leader, duke udhëhequr 25 inxhinierë e arkitektë. Sot, në vitin 2025, Albatriti është udhëheqës i sektorit të Projektmenaxhimit të Infrastrukturës Nëntokësore të U-Bahn-it të Mynihut, me përgjegjësi mbi 41 inxhinierë e arkitektë dhe 6 studentë.

“Të udhëheqësh një ekip gjerman në administratën e Mynihut është privilegj dhe përgjegjësi. Në fillim të shikojnë me kuriozitet, një i huaj, një shqiptar që vjen nga Kosova, por besimi fitohet me punë, korrektësi dhe përkushtim. Çdo ditë mundohem t’ia kthej shtetit gjerman mirënjohjen për mundësinë që më dha, me punë cilësore dhe rezultate konkrete”, thotë ai.

Për Albatritin, inxhinieria është shumë më tepër se profesion: është mënyrë jetese dhe pasion.

“Me çdo projekt ndërtojmë të ardhmen,” thotë ai. “Krijojmë jo vetëm banesa apo tunele metroje, por hapësira ku njerëzit ndihen të sigurt dhe të lidhur me jetën”, thotë ai.

Por edhe përtej arritjeve të sotme, ai e sheh veten gjithmonë në zhvillim:

“Ëndrra ime nuk ka kufij gjeografikë. Dua të jem pjesë e projekteve që ndryshojnë jetën e njerëzve, në Gjermani dhe një ditë, pse jo, edhe në Kosovë. Sepse inxhinieri i vërtetë nuk ndërton vetëm për sot, por për brezat që vijnë”, shprehet me entuziazëm Albatriti.

Filozofia e tij e jetës është e thjeshtë, por e fuqishme: “Dita pa zhvillim është një hap pas në jetë.” Dhe siç thotë shpesh me krenari:

“Unë jam shqiptar. Dhe çdo sukses timin e mbaj si flamur të vogël të vendit tim në zemrën e Evropës”.

Një tjetër thënie që e shoqëron është ajo që ia ka përcjellë nëna: “Punën e sotit mos e lër për nesër”, një udhëzim që ai e ka kthyer në parim profesional e personal.

Në çdo sukses të tij, Albatriti gjen arsye për t’u kthyer me mendje në Kosovë.

“Trashëgimia ime, zakonet, puna e ndershme dhe mbështetja e prindërve janë themeli i gjithçkaje që kam arritur. Pa to, asnjë titull nuk do të kishte kuptim.”

Sot, ai nuk ndërton vetëm besim me punën e tij dhe imazh të mirë, por edhe ura, ura që lidhin diasporën me vendlindjen, dhe që tregojnë se edhe në zemër të Evropës, një emër shqiptar mund të mbajë në duar drejtimin e një prej rrjeteve më të sofistikuara të transportit në botë.