75 Mall Live Search
13:43 / E Hënë, 21 Tetor 2024 / S Z

Nga ky muaj nis zbatimi i reformës së skemës sociale, Murati: Secilës familje t’i ofrohet një vend pune

Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka bërë të ditur se në kuadër të zbatimit të reformës së skemës sociale, nga ky muaj do të jetë grupi i parë që do të marrë pjesë në pilotim të reformës.

“Ekipet tona po vazhdojnë vizitat në terren te familjet dhe janë duke bërë vlerësimin e gjendjes ekonomike edhe nga afër, për t’u siguruar që ajo përkon me gjendjen e deklaruar në institucione.  Kjo reformë, e mbështetur edhe nga Banka Botërore, parasheh heqjen e kritereve diskriminuese dhe njëkohësisht vendos mekanizmin që mbështet anëtarët e familjes të aftë për punë që të aktivizohen në tregun e punës”, ka shkruar Murati në Facebook.

Murati shprehet se synim është që secilës familje t’i ofrohet një vend pune, dhe familja të bëhet e vetëqëndrueshme financiarisht.

“Paralelisht me punën për këtë reformë, përmes masave të shumta mbështetëse gjatë tre vjetëve të shkuar, kemi ndihmuar krijimin e vendeve të reja të punës dhe kjo ka rezultuar edhe në zvogëlim të numrit të familjeve përfituese nga skema e ndihmës sociale.  Vetëm nga masa qeveria për familjet, janë mbi 2 mijë të punësuar, shumica e të cilëve vijnë nga familje që kanë qenë përfitues të ndihmës sociale. Ndikimi mund të shihet edhe në grafikonin më poshtë, që paraqet numrin e familjeve përfituese nga skema e asistencës sociale”, ka shkruar Murati.