75 Mall Live Search
16:31 / E Hënë, 16 Qershor 2025 / H F

Nga lustrues makinash në agjent imobiliar, Auckland City FC dhe “jeta e dytë” e futbollistëve të Zelandës së Re

Kampionati Botëror për Klube nuk është vetëm një arenë e madhe për të treguar më të mirët e futbollit botëror, por edhe një ëndërr për ata që e duan futbollin me pasion.

Mjafton të pyetni lojtarët e Auckland City FC që, në ndeshjen e tyre të parë në këtë turne të ri të FIFA-s, u përballën me ‘yjet’ e Bayernit të Mynihut dhe u mposhtën 10-0.

Pak rëndësi ka rezultati, një nga më të thellët në historinë e kompeticioneve ndërkombëtare, kur përballë ke qenë me emra si Harry Kane, Manuel Neuer, Thomas Müller apo Kingsley Coman.

Nëse hedh një sy në listën e titullarëve të Auckland City FC, kupton se asnjëri prej tyre nuk është realisht futbollist profesionist, të gjithë kanë profesione të tjera dhe shpesh tërësisht të largëta nga futbolli.

Në portë qëndronte Conor Tracy, që zakonisht menaxhon porositë në një magazinë. Para tij, mbrojtësit Adam Mitchell (agjent imobiliar), Michael Den Heijer (drejtues ekipi në një fondacion bamirësie) dhe Nikko Boxall (punonjës në sektorin e sigurimeve).

Në krahë vepronin Regont Murati, i angazhuar në logjistikë në Kotahi Logistics, Nathan Lobo (ekografist), Dylan Connolly (fizioterapist), Adam Bell (shitës dhe student), Jordan Vale (mësues në shkollë fillore) dhe Alfie Rogers, përfaqësues shitjesh për Coca-Cola, si edhe Mario Ilich, kolegu i tij.

Në mesfushë dallohen studentët Paris Domfeh dhe Jeremy Foo, edukatori Tong Zhou, ndihmësinxhinieri Dylan Manickum dhe trajnerët e futbollit për të rinj David Yoo dhe Jackson Manuel, që janë afër futbollit, por në mënyrë krejt tjetër nga ajo që përjetojnë ‘yjet’ e Bayernit.

Në sulm, skuadra mbështetej te teknikët Gerard Garriga, Ryan Ellis dhe Haris Zeb, ndërsa Jerson Lagos përgatitet të bëhet berber, Myer Bevan punon si trajner personal, Angus Kilkolly si punëtor në një fabrikë veglash dhe Ryan De Vries, lustrues makinash, kompletonte repartin ofensiv.

Një skuadër profesionistësh, por jo në fushë – në jetë. Dhe megjithatë, në këtë Kampionat Botëror për Klube, edhe ata po jetojnë një ëndërr.

Sepse ky turne nuk është vetëm për ata që ëndërrojnë Topin e Artë, por edhe për ata që thjesht duan të takojnë idhullin e tyre dhe të jetojnë një verë që nuk do ta harrojnë kurrë.