75 Mall Live Search
20:00 / E Premte, 02 Janar 2026 / MSH1

Nga marihuana te kokaina/ Ky është bilanci i policisë në luftën ndaj narkotikëve

Policia e Kosovës ka intensifikuar ndjeshëm luftën kundër narkotikëve gjatë vitit 2025.

Kjo gjë ka rezultuar me arrestimin e qindra personave dhe konfiskimin e sasive të konsiderueshme të substancave narkotike, shkruan IndeksOnline.

Operacionet policore në luftën ndaj narkotikëve janë zhvilluar në mbarë vendin.

Drejtora e Përgjithshme e Policisë së Kosovës, pohoi për IndeksOnline se, gjatë periudhës janar–nëntor 2025, janë arrestuar gjithsej 893 persona të dyshuar, në 693 raste të ndërlidhura me veprimtari penale që lidhen me narkotikët.

Gjatë këtyre operacioneve, Policia e Kosovës ka konfiskuar sasi të mëdha të drogave të llojeve të ndryshme, ku dominon marihuana, e ndjekur nga kokaina dhe heroina.

Sipas Policisë, nga janari deri në nëntor të vitit 2025 janë konfiskuar:

Marihuanë: 1,310 kilogramë e 442.13 gramë;

Kokainë: 19 kilogramë e 497.2 gramë;

Heroinë: 1 kilogram e 520.08 gramë;

Hashash: 74.27 gramë.

Këto shifra tregojnë për një angazhim të vazhdueshëm të njësive policore në identifikimin, goditjen dhe parandalimin e shpërndarjes së narkotikëve në territorin e Republikës së Kosovës.

Rastet e zbuluara përfshijnë aktivitete të ndryshme kriminale, nga posedimi dhe shpërndarja e substancave narkotike, deri te rastet e dyshuara të trafikimit të organizuar. Të arrestuarit janë proceduar në përputhje me legjislacionin në fuqi, ndërsa hetimet për disa raste janë ende në zhvillim./IndeksOnline/