Nga masa për efiçiencë të energjisë, përfitojnë 200 familje në nevojë

Rreth 200 familje në nevojë do të përfitojnë nga masa për izolimin e shtëpisë dhe masa të tjera të efiçiencës deri në vitin 2027. Kjo mbështetje do të ofrohet si rrjedhojë e marrëveshjes mes Qeverisë së Kosovës dhe asaj të Danimarkës, për përkrahje në fushën e energjisë, që do të zbatohet nga UNDP në partneritet me Fondin e Kosovës për Efiçiencë të Energjisë? dhe Ministrisë së Ekonomisë.
Pak kohë para se të bien temperaturat në Kosovë dhe qytetarët të jenë të obliguar t’i ngrohin shtëpitë dhe banesat e tyre, Ministria e Ekonomisë ka filluar planet për mbështetje për ti mbështetur financiarisht familjet që kanë nevojë.
Në kuadër të mbështetjes financiare për blerjen e pajisjeve për ngrohje që shpenzojnë më pak energji elektrike, janë disa lloje të pajisjeve që Qeveria pritet t’i subvencionojë përfshirë këtu: kaldajat me biomasë, pompat termike, kondicionerët efiçientë dhe stufat individuale efiçiente me biomasë.
Ndërkohë, janë 200 familje në nevojë që do të përfitojnë nga masa për izolimin e shtëpisë dhe masa të tjera të efiçiencës deri në vitin 2027, në kuadër të projektit ?Rruga gjithëpërfshirëse dhe e drejtë drejt vitit 2030: E ardhmja e energjisë së gjelbër?. Kjo mbështetje do të ofrohet si rrjedhojë e marrëveshjes mes Qeverisë së Kosovës dhe Qeverisë së Danimarkës për përkrahje në fushën e energjisë, që do të zbatohet nga UNDP në partneritet me Fondin e Kosovës për Efiçiencë të Energjisë dhe Ministrisë së Ekonomisë.
Përfituesit janë identifikuar nga lista e përfituesve të Asistencës Sociale në Ministrinë e Financave, Punës dhe Transfereve, mbi bazë të kritereve të përcaktuara nga ekspertët e institucioneve përkatëse.
Në këtë rast përparësi u është dhënë dy kategorive të familjeve, aty ku kryefamiljari është prind vetushqyes dhe familjeve që kanë persona me aftësi të kufizuar.
Brenda këtyre dy kategorive, janë zbatuar kriteret për përzgjedhje të familjeve që kanë brenda vetes më shumë pensionistë, më shumë persona me aftësi të kufizuara, familje me numër të madh të anëtarëve dhe atyre me më shumë anëtar nën moshën 18 vjeç, pa anashkaluar në këtë rast edhe familjet e komuniteteve jo shumicë, shkruan RTK.
Ky projekt, që synon të përfshijë deri 200 shtëpi nga lista e përfituesve të ndihmës sociale, deri në vitin 2027, vlerësohet si hap i rëndësishëm drejt një sistemi energjetik më të drejtë, gjithëpërfshirës dhe të qëndrueshëm për Kosovën.