75 Mall Live Search
08:38 / E Shtunë, 30 Janar 2021 / OSH

Nga nesër mbyll kufijtë me vendet jashtë BE-së, Franca vendos masa të reja edhe për qytetarët e saj

Tjetër “lockdown” për Francën! Kjo për shkak të situatë së krijuar nga pandemia e koronavirusit. Si pasojë, Franca ka marrë një vendim të rëndësishëm ku duke filluar nga dita e nesërme do të mbyllë kufijtë për të gjithë njerëzit që vijnë nga jashtë Bashkimit Evropian.

Qeveria franceze ka marrë një vendim të tillë për të bërë të mundur parandalimin e përhapjes së varianteve të reja të virusit. Gjithashtu edhe për të shmangur një bllokim të tretë total.

Mbrëmjen e djeshme ishte kryeministri i Francës, Jean Castex, ai që njoftoi masat e reja, pas një takimi urgjent me ekipin e shëndetësisë në pallatin presidencial, ku paralajmëroi një “rrezik të madh” nga variantet e reja.

Ndërkohë, të gjithë ata që vijnë nga vendet e BE do iu kërkohet një test negativ i virusit Korona. Franca, gjithashtu, do të mbyllë të gjitha qendrat e mëdha tregtare, duke filluar nga e diela, si dhe do të kufizojnë udhëtimin për qytetarët, që duan të shkojnë jashtë vendit.

Kryeministri Castex urdhëroi një rritje të kontrollit policor për ata që shkelin shtetrrethimin 12 orë në ditë, organizojnë festa sekrete ose rihapin restorantet në kundërshtim me urdhrin e mbylljes, që është në fuqi prej muajit tetor.