75 Mall Live Search
17:48 / E Enjte, 25 Shtator 2025 / Z S

Nga një muaj paraburgim ndaj shtatë të pandehurve për aksionin “Qielli i thyer”

Nga një muaj paraburgim është caktuar ndaj shtatë të pandehurve në rastin e njohur si “Qielli i thyer” për marrje me narkotikë.

Gjykata Themelore e Prishtinës ka njoftuar se ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës të datës 25.06.2025 për caktimin e paraburgimit ndaj Astrit Kazmit, Argjend Qupevajt, Arben Qupevajt, Albin Qupevajt, Fatmir Mujajt, Visar Muriqit dhe Ekrem Bajramit.

“Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti Special ka vendosur lidhur me kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, për caktimin e masës së paraburgimit në çështjen penale ndaj të pandehurve A.K., A.Q1., A.Q1., A.Q3., F.M., V.M. dhe E.B., të dyshuar për veprat penale ‘Pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar’ nga neni 277 paragrafi 1 të KPRK, lidhur me veprën penale ‘Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge’ nga neni 267 paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 të KPRK- së dhe veprën penale ‘Shpërlarja e parave’ nga neni 302 lidhur me nenin 31 të KPRK, lidhur me nenin 56 paragrafi 1 të LPPPFT”, thuhet në njoftimin e gjykatës.

Pas mbajtjes së seancës dëgjimore, gjykata vlerësoj se caktimi i masës së paraburgimit në këtë çështje penale është masë adekuate duke qenë se të njëjtit dyshohen për vepra të rënda penale, nëse të pandehurit lihen në liri, mund t’i shmangen procedurës penale dhe mund të jenë të pakapshëm për organet e drejtësisë.

Poashtu, gjykata theksoi të njëjtit mund të asgjësojnë, fshehin, falsifikojnë provat e veprës penale ose mund të pengojnë rrjedhën normale të procedurës penale, po ashtu mund të ndikojnë tek personat të tjerë që eventualisht mund të jenë të implikuar në këto veprime.

Kundër këtij aktvendimi, palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit, përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë./Indeksonline/