Nga një muaj paraburgim ndaj tre ish-gardianëve të dyshuar për krime lufte në Burgun e Prishtinës dhe atë Lipjanit

Gjykata Themelore në Prishtinë ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK) duke ua caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh (secilit veç e veç) tre të dyshuarve Boban Toniq, Mirsad Ibro dhe Nadica Çepkenoviq, nën dyshimin se në cilësinë e gardianëve në Burgun e Prishtinës dhe Lipjanit më 1998-1999 kanë kryer krime lufte kundër popullatës civile.
Gjykata Themelore në Prishtinë ka konfirmuar për “Betimi për Drejtësi” se masa e paraburgimit të dyshuarve iu caktua pas mbajtjes së seancës dëgjimore.
Sipas dosjes së Prokurorisë Speciale, të siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, Boban Toniç dhe Mirsad Ibro dyshohen se në cilësinë e gardianëve në Burgun e Prishtinës dhe paraleles në Lipjan, gjatë luftës në Kosovë më 1998-1999, në bashkëkryerje edhe me zyrtarë të tjerë të këtyre burgjeve, duke vepruar në kundërshtim dhe duke shkelur rregullat e të drejtës ndërkombëtare gjatë konfliktit të armatosur, përkatësisht kohës së luftës, dyshohen që në mënyrë sistematike i kishin maltretuar të burgosurit shqiptarë, duke i torturuar në mënyrë çnjerëzore me mjete të ndryshme si shkop gome, shufra metalike, shqelma e grushte, deri në alivanosje, duke iu shkaktuar lëndime trupore.
Sipas prokurorisë, siç e shpjegojnë vetë viktimat, pas këtyre rrahjeve kishin pasur dhimbje të mëdha në gjithë trupin, dhunë psikike, i kanë kanosur seriozisht për jetë, e si pasojë e kësaj dhe rrahjeve të vazhdueshme, kanë pësuar gjendje ankthi dhe frikë – veprime këto të sanksionuara sipas ligjeve vendore, zakoneve të luftës dhe konventave ndërkombëtare të Gjenevës dhe protokolleve shtesë.
Me këto veprime, dyshohen se kanë kryer veprën penale “Krime lufte kundër popullatës civile” nga neni 142 lidhur me nenin 22 të LP të RSFJ-së.
Kurse, në pikën e dytë, thuhet se ekziston dyshimi i bazuar se e pandehura Nadica Çepkenoviq në cilësinë e gardianes në Burgun e Prishtinës- Paralelja në Lipjan, gjatë luftës në Kosovë, në bashkëkryerje edhe me zyrtare të tjera të kësaj paralele, duke vepruar në kundërshtim dhe duke shkelur rregullat e të drejtës ndërkombëtare, gjatë kohës së luftë, në mënyrë sistematike kishin maltretuar të burgosurat shqiptare, duke i torturuar në mënyrë çnjerëzore, me mjete të ndryshme si shkop gome, shqelma e grushte, deri në alivanosje, duke iu shkaktuar lëndime trupore.
Aty thuhet se viktimat shpjegojnë se pas këtyre rrahjeve kishin pasur dhimbje të mëdha në gjithë trupin, dhunë psikike, i kanë kanosur seriozisht për jetë, e si pasojë e kësaj dhe rrahjeve të vazhdueshme, kanë pësuar gjendje ankthi dhe frikë.
Me këto veprime, dyshohet se ka kryer veprën penale: “Krime lufte kundër popullatës civile” nga neni 142 lidhur me nenin 22 të LP të RSFJ-së.