12:54 / E Mërkurë, 13 Mars 2019 / indeksADMonline

Nga paslufta në Malishevë kanë vdekur 18 persona prej etheve hemorragjike

Nga ethet hemorragjike në Komunën e Malishevës, nga paslufta, kanë vdekur 18 persona, ndërsa nga viti 2014, nuk është regjistruar asnjë rast i vdekjes nga EHKK, dhe nga viti 2015, nuk është regjistruar asnjë rast i infektimit me virusin e EHKK.

Kjo është rezultat i punës së vazhdueshme që bëhet në terren dhe në institucionet përgjegjëse, duke filluar nga ligjëratat e vetëdijesimit, pastaj fushatat e repelimit dhe dezinsketimit të zonave endemike, trajtimi i shpejtë  i rasteve të thumbimit nga rriqrat dhe bërja e shpejtë e analizave laboratorike në QKMF në Malishevë, përfshi edhe mbikëqyrjen e vazhdueshme të këtyre rasteve. 

Në kuadër të zbatimit të strategjisë nacionale për luftimin dhe parandalimin e Etheve Hemorragjike krime Kongo (EHKK), pas një viti pauzë, sot ka rifilluar fushata e repelimit të kafshëve, si njëra prej masave më efektive në luftimin dhe parandalimin e EHKK. Fushata e repelimit të kafshëve, financohet nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinës (AUV) dhe realizohet në bashkëpunim të ngushtë me Komunën e Malishevës.

Në fillimin e fushatës së repelimit të kafshëve, ishin të pranishëm edhe Kryeshefi Ekzekutiv i AUV, Valdet Gjinovci dhe drejtori i Drejtorisë për Bujqësi në Komunën e Malishevës, Murat Hoxha, të cilët e panë nga afër fillimin e procesit të repelimit të kafshëve, në fshatin Senik.

Sipas kryeshefit ekzekutiv të AUV, Valdet Gjinovci, repelimi i kafshëve do të bëhet në katër faza dhe përfshihen rreth 100 mijë krerë lopë dhe po ashtu edhe rreth 100 mijë krerë kafshë të imta, në të gjitha zonat endemike, përfshi edhe Komunën e Malishevës.

Ndërsa drejtori komunal për bujqësi, Murat Hoxha, tha se këtë vit ka filluar me kohë fushata e repelimit të kafshë dhe kjo është shumë e rëndësishme, pasi është masa më efektive për luftimin dhe parandalimin e EHKK.

Sipas AUV, repelimi i kafshëve, do të bëhet në katër faza, ku një fazë zgjatë pesë javë.

Përndryshe, repelimi i kafshëve, konsiderohet si njëra prej masave më efektive për parandalimin dhe luftimin e virusit vdekjeprurës, i njohur si ethet hemorragjike krime kongo (EHKK), e që tek njeriu bartet përmes rriqrave. Repelimi i kafshëve, përveç që parandalon bartjen e rriqrave nga fusha, përmes kafshëve, në shtalla dhe tek njerëzit, në të njëjtën kohë e luan edhe rolin e ndërprerjes së ciklit tek rriqrat.

Vitin e kaluar, procesi i repelimit të kafshëve nuk është realizuar, ndërsa këtë vit ka rifilluar.