Nga Pellegrino te Dzeko, Juventus nis kërkimet për një sulmues
Juventusi ka nisur lëvizjet për të përforcuar repartin ofensiv.
Barazimi 1-1 në shtëpi ndaj Lecces, i shoqëruar me paraqitje jo bindëse nga Jonathan David dhe Lois Openda, si dhe pritja për rikthimin e Dusan Vlahoviçit (i cili pritet të largohet në fund të sezonit pa kosto), po shtyjnë drejtuesit bardhezinj të analizojnë merkaton e dimrit për një sulmues të ri.
Sipas “Tuttosport”, emri që pëlqehet më shumë në Torino është Mateo Pellegrino. Sulmuesi argjentinas i Parmës, i lindur në vitin 2001, ka shënuar pesë gola në kampionat dhe tetë në total këtë sezon.
Marrëdhëniet mes dy klubeve janë shumë të mira, edhe për faktin se drejtori ekzekutiv i Parmës është Federico Cherubini, ish-drejtor sportiv i Juventusit. Megjithatë, emilianët nuk dëshirojnë ta lënë të lirë në janar dhe kërkesa e tyre arrin të paktën 30 milionë euro.
Në listë janë edhe alternativa të tjera. Një prej tyre është Alexander Sorloth, për të cilin është bërë një sondazh fillestar me Atlético Madrid, megjithëse pista konsiderohet e ndërlikuar.
Në sfond mbetet edhe një zgjidhje “low cost”: Edin Dzeko. Sulmuesi boshnjak pritet të largohet nga Fiorentina dhe njeh mirë Luciano Spallettin nga koha te Roma. Një opsion ekstrem, por që Juventusi nuk e përjashton nëse situata në sulm kërkon ndërhyrje të menjëhershme.

