75 Mall Live Search
19:25 / E Diele, 11 Janar 2026 / F.R

Nga përmbytjet te ndotja e lumenjve, sfidat që vazhdojnë të rëndojnë Mitrovicën

Pas disa ditësh vërshimesh që shkaktuan dëme të konsiderueshme në shtëpi dhe lagje të ndryshme të Mitrovicës, gjendja aktualisht është stabile.

Komandanti i Brigadës së Zjarrfikësve në Mitrovicë të Jugut, Burim Ibishi, ka deklaruar për KosovaPress, se situata është e qetë dhe nën kontroll.

“Gjendja është stabile, lumenjtë janë në shtratin e tyre dhe nuk ka vend për panik”, ka thënë Ibishi.

Vërshimet që përfshinë lagjen “2 Korriku”, “Parkun e Biznesit” dhe zona të tjera të qytetit më 7 janar 2025, si pasojë e reshjeve të dendura, shkaktuan dëme të mëdha materiale. Si rezultat i daljes së lumit Sitnica nga shtrati, uji depërtoi në shtëpitë e banorëve, ndërsa rreth 22 familje u detyruan të evakuohen.

Banorët janë kthyer në shtëpitë e tyre duke nis pastrimin dhe rregullimin e dëmeve të shkaktuar. Ndërsa, përveç hallit me dëmet, kishim problem edhe me erën e rënd që kundërmonte.

Por problemet me lumenj në këtë komunë nuk janë të tanishme. Ato po shfaqen tash e disa vite.

Aktivisti i shoqërisë civile, Lulzim Hakaj, ka thënë për KosovaPress, se katër lumenjtë kryesorë të Mitrovicës, Ibri, Sitnica, Lushta dhe Trepça, janë në gjendje të rënduar.

Sipas aktivistit Hakaj, Mitrovica përballet me probleme serioze mjedisore. Ai përmend si më problematike zonën e deponisë ilegale “Gërmova”, dhe deponin në zonën e lirë ekonomike.

Pavarësisht bashkëpunimit me institucionet, përpjekjet për të mbrojtur ujërat në Mitrovicë kanë hasur në vështirësi. Hakaj ka theksuar se kjo inciativë nuk ka marrë ndonjë përgjigje pozitive nga komuna e Mitrovicës.

Hakaj thekson se nuk është e drejtë të ngrihet vetëm akuza ndaj institucioneve, pasi edhe qytetarët nuk kanë një bashkëpunim të mirë me ta për të avancuar mbrojtjen e mjedisit.

Shefi i Sektorit për Mbrojtjen e Mjedisit, Bahri Sinani, tha për Kosovapress, se lumi Sitnica është i ndotur nga shumë burime, përfshirë prodhimin e energjisë në Kosovë A dhe B dhe aktivitetet e Parkut Industrial me metale të rënda.

Ai theksoi se edhe lumi Trepça përballet me grumbullim të madh të mbeturinave, megjithëse drejtoria ka ndërmarrë pastrime derë më derë që nga viti 2017, dhe gjatë vitit 2025 lumi Trepça u pastrua mbi katër here.

Sinani, tha se deponitë ilegale mbeten një problem i madh në Mitrovicë, si në gjithë Kosovën. Gjatë vitit 2025, janë ekzekutuar gjashtë urdhra për largimin e tyre në të gjithë territorin e qytetit.

Ai tha se gjatë vitit 2025 nuk janë shqiptuar gjoba mandatore administrative, pasi udhëzimi administrativ është shfuqizuar dhe me të janë hequr kompetencat e inspektorit për mbrojtjen e mjedisit.

Ai theksoi se ky ndryshim ka ndikuar negativisht në rritjen e deponive ilegale.

Ushtruesi i detyrës së kryeshefit ekzekutiv në kompaninë “UNITETI”, Ylber Murtezaj, tha për Kosovapress se kompania ka marrëveshje me Komunën e Mitrovicës për grumbullimin e mbeturinave, mirëmbajtjen e shesheve dhe zbrazjen e shportave të vogla në qytet.

Në fund të vitit 2025, Mitrovica mbetet e sfiduar nga deponitë ilegale dhe lumenjtë e ndotur. Pa koordinim institucional, masa ndëshkuese dhe angazhim qytetar, ambienti i pastër mbetet një sfidë e papërmbushur për vitin e ri.