75 Mall Live Search
23:51 / E Diele, 05 Tetor 2025 / F.R

Nga Smrekonica në Pestovë, Xhafer Tahiri zotohet për investime dhe përkrahje për qytetarët

Kandidati për kryetar të Komunës së Vushtrrisë nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Xhafer Tahiri, ka vazhduar takimet me qytetarët në disa lagje dhe fshatra të komunës, duke theksuar përkushtimin e tij për kthimin e buxhetit të komunës te qytetari.

Në Smrekonicë, Tahiri u prit me mbështetje nga banorët, ku theksoi se qëllimi i tij është që fondet komunale të shërbejnë grave, të rinjve dhe të gjithë qytetarëve të Vushtrrisë.

Në një takim tjetër në lagjen “Mahalla e Sheqerave”, ai prezantoi disa nga projektet që planifikon të realizojë gjatë katër viteve të ardhshme, përfshirë ngrohtoren e qytetit, mësimin tërëditor në shkollën “Mustafë Venhari”, ndërtimin e çerdhes në lagjen “Shote Galica” dhe krijimin e një parku për fëmijë.

Ndërsa në Pestovë, Tahiri u takua me fermerë lokalë, duke u zotuar për përkrahje reale dhe investime në bujqësi, në mënyrë që puna e tyre të shpërblehet dhe zëri i tyre të dëgjohet.

Tahiri theksoi se bashkimi i qytetarëve është forca e vërtetë e LDK-së dhe se Vushtrria meriton zhvillim e drejtësi në përdorimin e buxhetit publik./IndeksOnline/