08:42 / E Martë, 22 Dhjetor 2020 / Blerim

Nga sot Shqipëria pezullon fluturimet me Britaninë, ja sa do zgjasë karantina për të ardhurit

Shqipëria ka marrë vendimin për të pezulluar nga sot fluturimet me Britaninë e Madhe, për shkak të shfaqjes së një varianti të ri të COVID-19. Lajmi është bërë me dije ditën e djeshme nga ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu gjatë një konference me Komitetin Teknik.

Ky vendim do ka hyrë në fuqi sot në orën 06:00 dhe do të jetë në zbatim për të paktën deri në 6 janar 2021, në varësi të situatës së pandemisë. Për ata qytetarë që do të vijnë nga Britania e Madhe përmes rrugëve të tjera, e kanë të detyrueshme të karantinohen për 14 ditë.

Në Rinas për ditën e sotme ishin parashikuar tre fluturime që vijnë nga Londra: Në orën 01:25, i dyti në orën 11:20 dhe fluturimi i tretë në 11:25.

Shumë vende nga Evropa kanë ndaluar ose janë në proces për ndalimin e fluturimeve me Mbretërinë e Bashkuar pas daljes së variantit të ri të koronavirusit, për të cilin edhe pse nuk ka të dhëna konkrete, ka krijuar panik.

Ndërkaq dje ministrja lajmëroi ndryshime edhe në orën policore. Kështu nga data 24 dhjetor deri më 4 janar qytetarët janë të detyruar që të futen në shtëpitë e tyre para orës 20:30, jo 22:00 siç është aktualisht, në të kundërtën do të gjobiten sipas aktit Normativ që është në fuqi. Më pas, në 5 janar do të rikthehet ora policore 22:00.