13:49 / E Enjte, 26 Shtator 2019 / indeksADMonline

Nga sporti në politikë, kush është Pranvera Ejupi-Hajzeraj, që kandidon për deputete nga AAK-ja

Kandidatja për deputete nga koalicioni AAK-PSD, Pranvera Ejupi-Hajzeraj, ka treguar se pse ka vendosur t’i hyjë politikës.

Ajo në Magazinën Zgjedhore të Klan Kosovës ka rrëfyer se pse vendosi që si një sportiste e dikurshme, që tashti punon në fushën e drejtësisë, të bëhet edhe pjesë e politikës.

“Unë karrierën sportive e kam filluar shumë herët. Jam marrë një kohë të gjatë me sport në Kosovë, pastaj kur kam qenë 17 vjeçare – ashtu siç kanë migruar shumica e popullësisë tonë në Europë – bashkë me prindërit e mi kam shkuar në Gjermani”.

“Atje kam vazhduar të merrem me sport dhe kam pasë rezultate të mira, prej nivelit gjerman në atë europian”.

“E kam kryer fakultetin dhe për nëntë vjetët e fundit jam marrë me sundim të ligjit dhe administratë publike. E kam udhëhequr projektin e drejtësisë për një organizatë ndërkombëtare – Projektet Zhvillimore Gjermane”.

“Karrierën sportive, sportistët e kryejnë zakonisht diku pas 10 ose maksimum 20 vjetëve, prandaj duhet të orientohen diku tjetër”.

“Tashti është koha e duhur që ne mund të japim kontribut. Posaçërisht, diaspora jonë që është shkolluar jashtë – gjithë bagazhin akademik, profesional dhe të mirat tona materiale, ne si bashkëatdhetarë, vijmë dhe i investojmë në Kosovë”.

Ish-atletja Ejupi-Hajzeraj është aktualisht përfaqësuese e Kosovës në Komitetin Zhvillimor të Federatës Europiane të Atletikës me seli në Zvicër.

Ajo ka treguar më shumë detaje, lidhur me punën që bën aktualisht në këtë komitet, derisa ka treguar se me sport kishte filluar qysh në moshë shumë të re – kur ka qenë në Kosovë.

“Karrierën e kam filluar këtu. Unë jam larguar nga Kosova në moshën 17 vjeçare, por me sport kam filluar të merrem qysh e vogël”.

“Babin e kam pasë sportist shumë të njohur dhe është profesor sporti. Pothuajse e gjithë familja ime merret me sport, por me sporte të ndryshme”.

“Në Llozanë kam filluar të punoj qe katër muaj. Unë i prezantoj 51 shtete të Evropës në Komisionin Zhvillimor Europian. Aty merremi me projekte të ndryshme”.

“Ne e prezantojmë shtetin tonë, por janë edhe 10 persona të tjerë nga shtete të ndryshme prej të cilëve përbëhet Komisioni. Aty marrim vendime se si ta mbështesim sportin në shtete të ndryshme, duke e përfshirë edhe Kosovën”.

Ajo ka treguar se, pas punës që e ka bërë në fushën e sundimit të ligjit tash e disa vjet, ka vendosur ta sfidojë veten edhe në politikë.

“Unë në Kosovë jam kthyer që nëntë vjet dhe kam punuar këtu në projektin për sundimin e ligjit dhe administratë publike me Projektet Zhvillimore Gjermane”.

“Pas një kohe, çdoherë të duhet një sfidë e radhës. Pas asaj, jam kthyer sërish nga sporti sepse të mbetet ajo çfarë bën një kohë të gjatë. Mirëpo, sfidën e radhës e shoh në politikë”.

“Atë që e kam mësuar dhe gjithë çfarë di unë dua ta vë në shërbim të shtetit të Kosovës”.

Ejupi-Hajzeraj ka thënë se kandidatura e saj për deputete ndërlidhet edhe më një trashëgimi familjare.

“Kandidatura prej deputeteje nuk është e rastësishme sepse vi nga një familje patriotike që kanë dhënë shumë për Kosovën – duke u nisë nga babai dhe axhallarët. Të gjithë kanë punuar shumë për kombin dhe ndërtimin e shtetit të Kosovës”.

“Vet jam rritur në një shtet ligjor ku mbi ligjin nuk shkel askush. Kanë qenë disa parakushte dhe ambicie politike që më kanë bërë që të futem në këtë garë dhe të merrem me politikë”.

Por, a kanë qenë edhe familjarët e saj pjesë e AAK-së, ashtu siç është tani edhe Pranvera Ejupi-Hajzeraj?

“Familjarët e mi gjithmonë kanë luftuar për shtetin e mirëfilltë të Kosovës. Babai im është tërhequr nga politika në vitin 1999, por është marrë me organizime të ndryshme të të rinjve në diasporë dhe këtu”.

“Nuk janë familjarët e mi direkt pjesë të AAK-së, por e përkrahin vizionin dhe kauzat e kryeministrit Ramush Haradinaj”.

Ajo ka përmendur edhe disa vendime që i sheh si të duhura të kryetarit të AAK-së, Ramush Haradinaj, që është edhe kryeministër në largim.

“Ramush Haradinaj ka treguar që është i pathyeshëm. Për ne është e rëndësishme shteti, proceset shtetërore, sovraniteti dhe dinjiteti”.

“Kanë qenë kalkulime të ndryshme për ndarjen e Kosovës dhe ne mund t’i falënderohemi një burrështetasi si Ramush Haradinaj që e ka parandaluar këtë”.

“Vendimet më të mëdha dhe të rëndësishme kanë qenë krijimi i ushtrisë, vendosja e taksës, por vendimi kryesor është parandalimi që i bëri ndarjes së Kosovës. Kjo më ka bërë që të bindem që ai që u dëshmua në luftë, u dëshmua edhe në paqe”.