Nga turshitë te tenderi për bartjen e nxënësve, si përfundoi kontrata te familjarët e drejtorit, në Viti
Komuna e Vitisë dy vjet më parë kishte shpërblyer me tender në vlerë mbi 6 mijë euro një zyrtar të lartë politik. Bëhet fjalë për drejtorin e Kulturës, Rinisë dhe Sportit në Viti, Valmir Sahitin, i cili në vitin 2023 kishte fituar tender nga komuna për transportin e nxënësve.
Megjithatë, pas disa ankesave dhe pasi Zyra Kundër Korrupsionit e shpalli procedurën të kundërligjshme, tenderi u anulua. Pasi që sipas ligjit për parandalimin e konfliktit të interesit, zyrtarët e lartë publikë nuk kanë të drejtë të lidhin kontrata apo të përfitojnë nga institucionet qendrore ose lokale, në të cilat ushtrojnë funksione publike.
Pas anulimit të tenderit që i ishte dhënë Valmir Sahitit, kontrata përfundoi te gruaja e axhës së tij, Valdete Sahiti. Kompania Lo EI SH.P.K me pronare Valdete Sahitin e cila në ARBK e kishte të regjistruar si aktivitet primar përpunimin dhe konservimin e frutave dhe perimeve, fitoi tenderin për bartjen e nxënësve Letnicë- Stubëll e Epërme dhe anasjalltas në vlerë prej 9 mijë euro dhe Podgorc Viti në vlerë prej 7 mijë eurosh.

Valdete Sahiti, e cila nga biznesi i turshive kaloi në transportin e nxënësve, tha për Indeksonline se ishte detyruar të investojë dhe ta zgjerojë biznesin e saj, në mënyrë që nxënësit e komunës të mos mbesnin pa transport.
“Valmirin e kam djalë të kunatit. Ai e ka pasur biznesin e vet, unë timin. Kjo çështje është mbyllur para dy vitesh. Tenderi është anuluar sepse Zyra Kundër Korrupsionit e ka shpallur të paligjshëm dhe nxënësit kishin mbetur pa transport, pa marrë askush përgjegjësi për ta. Unë e kam parë të arsyeshme të hyj dhe të investoj në makineri dhe e kam zgjeruar aktivitetin e biznesit tim. Tash e kam tenderin dhe kontratë njëvjeçare për bartjen e nxënësve. Që nga shtatori i vitit të kaluar e kam marrë këtë kontratë. Çdo biznes ka mundësi të zgjerojë aktivitetet e veta. Nëse ka diçka, unë jap përgjegjësi. Askush tjetër nuk ka aplikuar për bartjen e nxënësve. Mua më është dashur të investoj për të hyrë në atë punë, vetëm që nxënësit të mos mbesin pa transport. Mund të hulumtoni nëse dikush tjetër ka aplikuar përveç biznesit tim, atëherë unë përgjigjem. Na lini rehat të punojmë. Ne kemi të drejtë të shtojmë aktivitete në biznes dhe i kemi të gjitha të dokumentuara. Asgjë të kundërligjshme nuk kemi bërë”, tha ajo.

Ajo shtoi se as Valmir Sahiti, sipas saj, nuk e kishte fituar kundërligjshëm tenderin, por se gjithçka ishte bërë për arsye politike.
“S’ka qenë as Valmiri kundërligjshëm, sepse edhe ai ende pa e marrë postin e drejtorit, e ka pas këtë tender. Kur ka bërë pyetje në komunë i kanë thënë mund të vazhdosh, por pas ndërhyrjes së dikujt, për shkaqe politike ka ardhur puna deri aty”, tha ajo.

