12:38 / E Mërkurë, 29 Janar 2020 / indeksADMonline

Nga viti 2012, 400 kosovarë e mësynë ISIS-in

Mbi 100 kosovarë, në prill të vitit të kaluar u riatdhesuan nga zona e konfliktit në Siri, shumica prej të cilëve gra e fëmijë.

Vendimi për kthimin e tyre, po shihet si i rrezikshëm, derisa për institucionet e vendit kjo paraqet një sfidë.

Nga ana tjetër, vendi po punon pak për identifikimin e personave të radikalizuar, ani pse ata nuk kanë pasur mundësi t’u bashkoheshin vatrave të luftës.

Kështu u tha të mërkurën në publikimin e raportit “Zbërthimi i përgjigjes së Kosovës ndaj të kthyerve nga zonat e luftës në Siri dhe Irak”, në kuadër të projektit: “Analizimi i procesit të ri integrimit për luftëtarët e huaj të kthyer në komunitet”, nga Qendra Kosova për Studime të Sigurisë.

Teuta Avdimetaj nga QKSS-ja, tha se që nga viti 2012 shumë kosovarë iu bashkuan zonave të konfliktit, derisa shumë fëmijë kosovarë kanë lindur atje.

“Që nga viti 2012 në zonat e luftës në Siri dhe Irak u bashkuan shumë evropianë në mesin e të cilëve vlerësohet që ka qenë një numër prej 400 qytetarësh nga Kosova. Duke përfshirë këtu burra, gra dhe fëmijë, ndonëse një numër i fëmijëve nga kjo shifër edhe kanë lindur në zonat e konfliktit. Ky trend arriti kulmin në vitet 2014, 2015 dhe pësoi rënie në vitet në vazhdim. Teksa grupet militante terroriste humbën territor. Përderisa një numër i kosovarëve gjetën mënyra për t’u kthyer në vend, shumë prej tyre përfunduan në kampe të ndryshme të kontrolluara nga grupet militante dhe filluan të kërkonin kthimin në Kosovë”, tha ajo.

Skënder Perteshi, hulumtues në QKSS, tha se në krahasim me vitin 2013, ku si prioritet ka qenë luftimi i ekstremizmit të dhunshëm, së fundmi prioritet është riintegrimi i këtyre personave që po bëhen pjesë e luftërave në Siri e Irak.

“Raporti jonë tregon që Kosova është një prej vendeve të rralla që ka marrë vendim për rikthimin në mënyrë vullnetare ata që kanë dashur të kthehen, qytetarët e vet ata që kanë marrë pjesë në zonat e konfliktit, në Siri dhe Irak. Derisa në disa vende të BE-së hezitojnë, disa marrin vendim që t’i rikthejnë vetëm fëmijët, por jo të rriturit. Qeveria e Kosovës morri vendim, që ka qenë një vendim i rrezikshëm, mirëpo e mori një vendim që të rikthejë edhe luftëtarët e huaj, gratë dhe fëmijët që kanë qenë pjesë e organizatave. Mirëpo, ky veprim është parë si hap pozitiv, mirëpo me vete sjell edhe një barrë shumë të madhe, sepse përveç rikthimit të qytetarëve tonë nga zonat e luftës, atëherë ky rikthim i tyre është dashur të përcillet edhe me një numër të madhe të masave të ndryshme”, tha Perteshi.

Perteshi tha se rikthimi i 110 qytetarëve në prill të vitit të kaluar në Kosovë, ishte sfidë për institucionet e Kosovës.

“Nuk ka pasur një qasje koherente në mes institucioneve të ndryshme që e kanë zbatuar këtë vendim, ose që i kanë ndërmarrë këto aktivitete. Për shembull, kemi rastin kur brenda sistemit korrektues është zhvilluar një program për rehabilitim dhe riintegrim të luftëtarëve të huaj të mbështetur me anën e ICITAP-it, mirëpo shumica e dënimeve që i kanë marrë luftëtarët e huaj kanë qenë dënime të shkurtra. Ndërsa, programi ka marrë kohë derisa është zbatuar. Dhe ka pasur një mos përputhje të qëllimeve të programit, zbatimit dhe dënimeve janë marrë. Sepse ne dimë që kanë kaluar vite e vite derisa një person është radikalizuar edhe është vështirë që brenda 6 muajve t’i nënshtrohet një programi të de-radikalizohet apo të largohet nga ideologjia. Nuk ka pasur masa përcjellëse për të, në momentin ai që del jashtë sistemit korrektues, madje ka pasur raste kur Ministria e Punëve të Brendshme është njoftuar ng a mediat për qytetarë të caktuar që janë liruar prej burgut”, u shpreh Perteshi.

Përkundër investimeve të mëdha ai tha se ka nevojë për trajtime specifike, në veçanti për Shërbimin Korrektues të Kosovës. Sipas Perteshit, shumë pak po punohet në identifikimin e personave të radikalizuar, të cilët i takojnë kësaj ideologjie, e që në fakt nuk kanë marrë pjesë ende në këto luftëra.

Behxhet Shala, i cili udhëheq Këshillin për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, tha se ende ka shumë paragjykime ndaj këtyre personave, e që veprimet sipas tij janë marrë për pamje të jashtme.

“Ata nuk e pranojnë Bashkësinë Islame të Kosovës si autoritet, e dyta edhe në qoftë se ju e çoni një zyrtar të BIK-ut t’iu mbajë atyre ligjërata, është njësoj sikur të dërgoni një ujk para deleve, e t’i bindë që kanë qëllime të mira. Është një qasje krejtësisht e gabuar edhe më tepër kjo është ndërmarrë sa për pamje të jashtme, sa për të krijuar një përshtypje që diçka po punohet se sa që është arrit një efekt. Ne kemi një paragjykim ndaj tyre pa ardhur ata fare këtu”, tha Shala.

Nga 110 kosovarë, të cilët arriti shteti i Kosovës në bashkëpunim me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, t’i kthejë në vend, në mesin e tyre janë 74 fëmijë, të cilët kanë qëndruar në vatra të rrezikshme. Disa prej këtyre fëmijëve të kthyer nga Siria, janë edhe pa përkujdesje prindërore.