20:24 / E Martë, 13 Nëntor 2018 / indeksADMonline

Nga zjarri në Gërmi u dogjën 50 ari park

Gjatë pasdites së sotme, Parku i Gërmisë është përfshirë nga zjarri, duke dëmtuar afro 50 ari.

Fatmir Bilalli, shef i Sektorit të Emergjencës në Drejtorinë e Shërbimit Publik, ka treguar se në vendin e ngjarjes kanë dalur menjëherë, pjesëtarë të Drejtorisë së Shërbimeve Publike, KFOR-i italian, zjarrfikësit dhe punëtorë të Hortikulturës.

“Diku rreth orës 17:00 të pasdites e kemi marrë një informatë që ka shpërthyer një zjarr në Parkun e Gërmisë. Menjëherë kemi ndërmarrë masat e duhura, ekipet e emergjencës kanë ardhur në vendin e ngjarjes, ndërsa drejtori i Drejtorisë së Shërbimit Publik e ka njoftuar ndërmarrjen Hortikultura, të cilët kanë ardhur edhe këta së bashku me ekipin e zjarrfikësve edhe ekipet e tjera, vazhdojnë ende të jenë në vendin e ngjarjes”, tha Bilalli.

Sipas tij ende nuk dihet qartë, se pse ka ndodhur një gjë e tillë, mirëpo ai ka konsideruar se dëmi nuk ka qenë shumë i madh.

“Në fillim është menduar se është përfshirë hapësirë e madhe, por jo diku 40-50 ari, jo më shumë, dëmet materiale nuk janë shumë të mëdha. Drunjtë e mëdhenj, lisat nuk janë djeg, por vetëm dushku dhe pjesa e poshtme që ka qenë”, ka shtuar Bilalli.

Deri sa Bilallli thotë se ende nuk dihet se cili ka qenë shkaktari i këtij zjarri, drejtoresha e parqeve Fatime Hajda ka aluduar me faktorin njeri.

“Fatkeqësisht mendoj se faktori është njeriu vet, mendoj që njerëzit që po shfrytëzojnë në shtigjet e Gërmisë, për me ec ose vrapu, po tregohen pak të pakujdesshëm, sidomos gjatë ndezjes së cigareve ose pjesës së mbetur dhe po i hudhin në Gërmi. Për shkak të motit të thatë kohëve të fundit që po merr, mendoj që ka ardh deri tek ndezja”, u shpreh Hajdari.

Ajo ka apeluar të gjithë që të kenë kujdes sepse, sipas saj, si shkak i pakujdesisë së tyre, mund të vij deri në dëme të jashtëzakonshme.