14:36 / E Mërkurë, 09 Tetor 2019

Ngadalësohet rritja ekonomike në mbarë Evropën dhe Azinë Qendrore midis tregtisë, që po dobësohet dhe aktivitetit industrial që po pakësohet

Rritja ekonomike në mbarë Evropën dhe Azinë Qendrore po ngadalësohet, me rritje rajonale të vlerësuar në 1.8% për vitin 2019, sipas edicionit më të fundit të Përditësimit Ekonomik të Bankës Botërore për Evropën dhe Azinë Qendrore (EAQ). Ky vlerësim, më i ulëti në katër vitet e fundit, pasqyron rritjen e ngadalësuar si në Federatën Ruse ashtu edhe në Turqi, dy ekonomitë më të mëdha të rajonit. Raporti gjithashtu vë në pah rritjen e fuqishme në pjesët tjera të rajonit, duke përfshirë vendet në Evropën Qendrore, Azinë Qendrore dhe Kaukazin e Jugut.

Rritja e ngadaltë në rajon shkon paralel me trendin global në rënie dhe nënvizon nevojën për të përshpejtuar produktivitetin dhe për të rritur investimet – që kanë qenë në rënie gjatë dekadës së fundit. Në EAQ, përkeqësimi i trendeve demografike – duke përfshirë tkurrjen e popullsisë në moshë pune – acaron tutje sfidat e mësipërme. Raporti hedh vështrimin mbi trendet e migracionit dhe ofron njohuri domethënëse si për vendet e destinacionit ashtu edhe ato të origjinës.

“Migracioni mund t’i kontribuojë prosperitetit në rajon,” thotë Asli Demirguc-Kunt, Krye-Ekonomiste e Bankës Botërore për rajonin e Evropës dhe Azisë Qendrore. “Migrantët në mënyrë joproporcionale kanë tendencë të jenë në moshë pune dhe prandaj mund të shtendosin presionet demografike duke rritur madhësinë e fuqisë punëtore, duke ngritur produktivitetin dhe duke i dhënë hov rritjes ekonomike.”

Përpjesa e emigrantëve në Evropë është rritur me shpejtësi të madhe gjatë katër dekadave të fundit, ku një nga tre emigrantë në mbarë botën tani e kanë si pikësynim Evropën. Migrimi ndër-rajonal është gjithashtu i lartë në Evropë dhe Azi Qendrore, me 80% të emigrantëve që zgjedhin të shpërngulen në vendet e tjera të rajonit. Mirëpo, shpeshherë kundërshtimi ndaj migracionit është i fuqishëm sepse tendenca është që përfitimet të jenë afatgjata ndërsa kostot – përfshirë zhvendosjen dhe papunësinë – janë të menjëhershme dhe të përqendruara në mesin e grupeve të caktuara. Politikë-bërësit duhet t’i ndihmojnë këto grupe duke hartuar programe për rikualifikimin e tyre dhe duke i përshtatur sistemet arsimore enkas për të rinjtë, në mënyrë që ata të mos konkurrojnë me imigrantët me kualifikime më të ulëta. Sipas raportit, komponentët e përpjekjeve të tilla do të mund të përfshinin përfitime kalimtare nga programet e mirëqenies dhe pagesa të skemave të sigurimeve të papunësisë.

Migracioni gjithashtu ngre shqetësime rreth ‘ikjes së trurit’ të krahut të kualifikuar të punës nga vendet e origjinës, meqë individët më të arsimuar janë të prirë të emigrojnë më shpesh brenda rajonit. Individët me arsim të lartë përfaqësojnë 55% të popullsisë së përgjithshme të emigrantëve nga Bosnja dhe Hercegovina, më shumë se 40% të emigrantëve nga Armenia dhe Letonia, dhe afër 40% të popullsisë emigrante nga Shqipëria, Moldavia, Maqedonia e Veriut, Republika Kirgize, Kazakistani, Rumania dhe Taxhikistani. Modelet e tilla të vazhdueshme janë më shpesh simptomë sesa shkak i problemit rrënjësor.

Përmirësimi i qeverisjes dhe forcimi i institucioneve në vendet e origjinës janë politikat afatgjata që mund të adresojnë shkaqet rrënjësore të emigracionit të vazhdueshëm. Politikat që synojnë ruajtjen e krahut të kualifikuar të punës përfshijnë promovimin e sektorit privat dhe përshpejtimin e krijimit të vendeve të punës, investimin në arsimin e lartë dhe rritjen e mundësive për gratë në ekonomi. Lidhshmëria më e madhe gjithashtu paraqet aspekt të rëndësishëm të rritjes së angazhimit me diasporën, meqë emigrantët që ruajnë lidhjet kanë më shumë të ngjarë të investojnë dhe të kthehen. Raporti tregon se shtimi i stimujve për të mbetur në vendin e origjinës ka më shumë të ngjarë të frenojë migrimin jashtë vendit sesa ndjekja e politikave që kufizojnë përfitimet jashtë vendit.