Ngadhnjim Kastrati reagon ndaj partive që po e sulmojnë RTK-në
Drejtori i përgjithshëm i Radiotelevizionit të Kosovës, Ngadhnjim Kastrati, ka reaguar ndaj disa partive të cilat kanë sulmuar RTK-në për anime politike në fushatën zgjedhore.
Sipas tij, RTK ka po të njëjtin staf që ka mbuluar edhe fushatat e mëparshme zgjedhore, një staf i cili ka krijuar një përvojë shumë të madhe në mbulimin e fushatave zgjedhore.
“RTK-ja i bën me dije LDK-së e cila këtë herë e ka sulmuar shumë ashpër RTK-në pa asnjë argument, por edhe të gjitha partive politike që RTK-ja nuk mundet as t’ua fitojë dhe as t’ua humbë zgjedhjet. RTK-ja do të raportojë të gjitha ato aktivitete, të cilat vetë partitë politike i dërgojnë në redaksitë tona dhe asgjë më shumë! Se sa kemi qenë profesional, të anshëm ose të paanshëm, do ta thotë raporti i monitoruesve të Bashkimit Evropian, të cilët janë ekspertë të kësaj fushe, por ne nuk do të tolerojmë në asnjë mënyrë që një subjekt politik cilido qoftë ai ta bëjë vlerësimin editorial të RTK-së, sepse nuk kanë kurrfarë kompetence në këtë fushë”, ka thënë ai.
Postim i plotë:
Sa herë që ka fushatë zgjedhore në Republikën e Kosovës, partitë politike nga stresi dhe nervoza e dinamikës së fushatës dhe duke mos pasur se çka t’i bëjnë njëra tjetrës e sulmojnë Transmetuesin Publik për gjoja njëanshmëri. RTK ju bën thirrje partive politike që të ndalin presionet e tyre ndaj Transmetuesit Publik dhe të merren me fushatat e tyre. RTK ka po të njëjtin staf që ka mbuluar edhe fushatat e mëparshme zgjedhore, një staf i cili ka krijuar një përvojë shumë të madhe në mbulimin e fushatave zgjedhore. RTK gjithmonë iu ka dhënë hapësirë të barabartë dhe me çasje mjaft korrekte të gjitha subjekteve politike si në edicionet e lajmeve, kronikave zgjedhore por edhe në debatet politike. Kjo është konfirmuar edhe në të gjitha raportet e monitoruesve të Bashkimit Evropian. RTK i bën me dije LDK-së e cila këtë herë e ka sulmuar shumë ashpër RTK-në pa asnjë argument, por edhe të gjitha partive politike që RTK nuk mundet as t’ua fitojë dhe as t’ua humb zgjedhjet. RTK do të raportojë të gjitha ato aktivitete të cilat vetë partitë politike i dërgojnë në redaksitë tona dhe asgjë më shumë! Se sa kemi qenë profesional, të anshëm ose të paanshëm, do ta thotë raporti i monitoruesve të Bashkimit Evropian të cilët janë ekspertë të kësaj fushe, por ne nuk do të tolerojmë në asnjë mënyrë që një subjekt politik cilido qoftë ai ta bëjë vlerësimin editorial të RTK-së sepse nuk kanë kurrfarë kompetence në këtë fushë.
Sulmi ndaj RTK-së vetëm disa ditë para datës së zgjedhjeve nuk është gjë tjetër pos një presion i pastër politik dhe tendencë për të ndërhyrë në politikat editoriale të RTK-së. Prandaj i bëjmë thirrje edhe mekanizmave të BE-së por edhe të shoqatave të gazetarëve që ta dënojnë këtë sulm mbi transmetuesin publik.