75 Mall Live Search
23:25 / E Diele, 04 Janar 2026 / F.R

Ngërçi politik pengesë në përfitimin financiar të Kosovës nga BE-ja

Masat ndëshkuese dhe ngërçi politik që e përshkoi tërë vitin që lamë pas ishin emërtuesi kryesor i raporteve ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Kosovës.

Qysh në ditët e para të shkurtit, menjëherë pas mbajtjes së zgjedhjeve të rregullta parlamentare, Brukseli bëri thirrje për formimin sa më të shpejtë të institucioneve, në mënyrë që të vazhdohej me proceset integruese.

Institucionet ishin të domosdoshme që Kosova të niste të përfitonte nga mbi 880 milionë euro të destinuara për vendin nga Plani i Rritjes. Ndërkohë që vendet e rajonit filluan të marrin mjete – disa prej tyre edhe nga dy këste – Kosova nuk mori asnjë cent.

Ironikisht, këto ishin të vetmet mjete financiare që nuk ishin peng i masave ndëshkuese të vendosura nga BE-ja në verën e vitit 2023.

Masat filluan të hiqeshin në pranverë, por më shumë si veprim kozmetik sesa substancial. U zhbllokuan disa takime të nënkomiteteve të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit, ndërsa mjetet financiare mbetën ende të bllokuara.

Me vetëm dy takime në nivel kryenegociatorësh dhe pa asnjë rezultat konkret, emisari evropian për dialogun, Peter Sørensen, mori mandatin e dytë me kohëzgjatje prej 24 muajsh. Mungesa e progresit nuk u konsiderua si dështim i evropianëve, por si pasojë e situatës politike si në Kosovë ashtu edhe në Serbi, si dhe e mungesës së kushteve esenciale për avancim të dialogut.

Përfaqësuesja e lartë e BE-së për politikë të jashtme dhe sigurim Kaja Kallas, hyri në vitin e dytë të mandatit të saj pa organizuar asnjë takim në nivelin më të lartë politik. Megjithatë, vazhdon të insistohet se një takim i tillë do të mbahet sapo të krijohen kushtet e nevojshme – çka mund të ndodhë pas formimit të institucioneve stabile në Kosovë.

Pavarësisht se që nga viti 2023 dialogu ka hyrë në një lloj “vdekjeje klinike”, kjo nuk e ka kursyer Prishtinën zyrtare nga kërkesat e vazhdueshme të Brukselit për zbatimin e të gjitha obligimeve që rrjedhin nga dialogu, përfshirë kërkesën kyçe për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Në anën tjetër, Brukseli nuk lëvizi as në trajtimin eventual të aplikimit të Kosovës për statusin e vendit kandidat. Kosova mbeti i vetmi vend në rajon pa këtë status.

Megjithatë, ajo nuk u anashkalua gjatë vizitave që në rajon zhvilluan udhëheqësit më të lartë institucionalë të BE-së, të shoqëruara me konfirmime semantike për perspektivën evropiane, por pa asnjë premtim se në një të ardhme të afërt aplikimi për status kandidati, i dorëzuar në vitin 2022, do të nxirrej nga sirtarët për t’u trajtuar seriozisht.

Kosova mori një lajm pozitiv në vjeshtë, kur u konfirmua se, edhe pa status kandidati, vendi u përfshi për herë të parë në një organ këshillues të Bashkimit Evropian – Komitetin Ekonomik dhe Social Evropian – ku tashmë bëjnë pjesë edhe vendet e tjera të rajonit.

Me transferimin e qetë të pushtetit lokal në katër komunat veriore në fillim të dhjetorit, Bashkimi Evropian u detyrua të përmbushë premtimin për nisjen e heqjes së masave. Angazhimet u fokusuan në mënyrën e realizimit të këtij premtimi, me theks që procesi të përmbyllej pas zgjedhjeve të 28 dhjetorit.

Fillimisht u konfirmua gatishmëria për heqjen e gjysmës së masave në fillim të vitit 2026. Pas bisedës së presidentes së Kosovës me presidenten e Komisionit Evropian, kjo e fundit mori vendimin që të hiqen të gjitha masat financiare. Mbi 400 milionë euro pritet të zhbllokohen menjëherë pas ndërrimit të motmoteve.

Megjithatë, 880 milionë euro nga Paketa Evropiane e Rritjes vazhdojnë të presin formimin e institucioneve vendore. Nga këto mjete të afatizuara, Kosova mund të përfitojë vetëm nëse vepron shpejt drejt konstituimit institucional. Në të kundërtën, qershori i vitit të ardhshëm shënon momentin kur vendi nis të humbasë mjetet financiare nga Plani i Rritjes./RTK/