Ngërçi politik, presidentja Osmani e ka gati një draft të lëndës për ta dërguar në Kushtetuese

Kuvendi i Kosovës nesër mban seancën e 30-të me radhë. As gjatë ditës së nesërme nuk pritet që të ketë ndonjë ndryshim.
Lidhur me këtë ngërç politik disa javë më parë ishte angazhuar edhe presidentja e vendit, Vjosa Osmani.
Osmani më 15 maj kishte ftuar në një takim liderët politikë për të diskutuar lidhur me ngërçin politik, mirëpo nuk ishte arritur ndonjë marrëveshje midis partive politike.
‘’Pas takimit të mbajtu,r më 15 maj 2025, i cili ishte takimi i parë konsultativ, presidentja i ka ftuar sërish liderët e partive politike në një takim të dytë konsultativ, këtë herë për çështjen e organizimit të zgjedhjeve lokale. Gjatë këtij takimi të dytë, presidentja e ka përsëritur në mënyrë të drejtpërdrejtë ftesën e saj që, nëse partitë politike kanë interes për konsultime shtesë lidhur me konstituimin e Kuvendit të Kosovës, ajo është e gatshme të zhvillojë takime të veçanta me secilin prej tyre. Ftesa e presidentes vlen ende, nëse për një gjë të tillë kanë interesim liderët e partive politike’’ është shprehur Bekim Kupina – këshilltar për media.
E sot nga Presidenca e Kosovës për Indeksonlinen kanë bërë të ditur se ekipi ligjor i presidencës kanë përgatitur një draft të lëndës, që mund ta dërgojnë në Gjykatën Kushtetutuese lidhur me situatën e krijuar.
‘’Sa i përket Gjykatës Kushtetuese, ekipi ligjor presidentes ka përgatitur një draft të lëndës që do të mund të adresohej në Kushtetuese, mirëpo jemi në pritje të aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese rreth pranueshmërisë së kërkesës së dërguar nga AAK-ja, sepse kjo pastaj mund t’i sqarojë edhe çështjet e pranueshmërisë së një çështjeje që do të referohej nga presidentja. Pra nuk është fjala për meritat e çështjes, por vetëm për anën procedurale, pra pranueshmërinë’’, është shprehur Kupina./Indeksonline/