Ngiste veturën në gjendje të dehur, mbrojtësi brazilian shkakton vdekjen e motoçiklistit

Klubi brazilian, Palmeiras ka larguar nga skuadra qendërmbrojtësin 20-vjeçar, Renan Victor da Silva pasi ai përballet me akuzat për drejtimin e veturës në gjendje të dehur.
Klubi nga Sao Paulo e ka konfirmuar largimin e ish-reprezentuesit të Brazilit në grupmoshat U-17 pasi që ai vrau një motoçiklist teksa ngiste në gjendje të dehur dhe pa patentë shofer, përcjell KosovaPress.
Renan luante në huazim te Red Bull Bragantino këtë sezon, por që ky i fundit e ndërpreu menjëherë marrëveshjen kur e kuptuan rastin në fjalë.
Aksidenti ka ndodhur pikërisht në atë qytet në provincën e Sao Paulos. Makina që drejtohej nga Renani ka kaluar në korsinë e gabuar dhe ka goditur një 38-vjeçar me motor.
Motoçiklisti u vra nga përplasja, dhe Renan do të përballet me akuzën e vrasjes me faj. Aktualisht ai është liruar pasi ka paguar një kusht prej afro 50,000 dollarësh.
Talenti premtues mund të përballet deri në dhjetë vjet burg. Mungesa e patentës së tij dhe gjendja e dehjes janë faktorë rëndues që kanë çuar në akuzë, pavarësisht se nuk ka pasur qëllim për të vrarë.