15:10 / E Enjte, 28 Dhjetor 2017 / indeksADMonline

“Ngjallu, se të kanë vdekur para kohe”, Nexhmije Hoxha rrëfen për lajmin e vdekjes së saj

Lajmi se Nexhmije Hoxha kishte ndërruar jetë ka “ngritur në këmbë” mbarë opinionin publik para disa ditësh.

Por gjithçka doli të ishte një trillim, pasi vejusha e diktatorit Enver Hoxha jo vetëm që ishte shëndoshë e mirë, por ka rrëfyer sot në një intervistë sesi e mësoi lajmin e rremë. Hoxha, drejtore e Institutit të Studimeve Marksiste Leniniste, mbush më 8 shkurt të vitit që po troket, plot 97 vjeç.

Ja ç’ka treguar ajo sot, teksa tregon se ka shkruar një letër urimi për Vitin e Ri për mbështetësit e saj:

Znj. Hoxha, kjo letër duket si një përgjigje për ata që të “vdiqën” disa ditë më parë…

Nexhmije Hoxha: Mund të merret edhe ashtu, si një përgjigje për ata që sajuan atë lajm të rremë me shumë keqdashje dhe ligësi. or unë nuk e them këtë në letrën e urimit që po u jap për Vitin e ri 2018. Unë u drejtohem veteranëve, miqve e dashamirësve dhe gjithë shqiptarëve.

Sidoqoftë, ai lajm ju tronditi ndopak, apo jo?

Nexhmije Hoxha: Aspak. Madje u zbavita. E përgënjeshtruan publikisht edhe Pranvera dhe Teuta. Unë u zbavita dhe kemi qeshur me atë marrëzi. Isha shtrirë dhe po pushoja si çdo ditë, kur më vjen Pranvera dhe më zgjon: ‘Po ngjallu, më tha, se të kanë vdekur para kohe…’ Nuk e morëm vesh se kush e fabrikoi atë lajm, por pak rëndësi ka kjo, pasi janë ata që na sulmojnë prej më shumë se njëzet vjetësh… Por mendoj se në përhapjen e atij lajmi kanë përgjegjësi edhe gazetarët, ata që e shpërndanë nëpër portale, pa e verifikuar. Ku është profesionalizmi dhe etika profesionale në këtë rast?!”