75 Mall Live Search
13:49 / E Enjte, 03 Korrik 2025 / mp

Ngjarje e pazakontë në Prishtinë, tre policë civilë dyshohet se rrahën brutalisht një të ri pas një ndjekjeje

Një incident i rëndë dyshohet që ka ndodhur të martën mbrëma në rrugën “Muharrem Fejza” në Prishtinë, ku një i ri, G.Hyseni, është ndjekur dhe është rrahur rëndë nga persona që dyshohet se janë policë civilë.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 23:00.

Rasti dyshohet se kishte ndodhur kur G. Hyseni e kishte tejkaluar një veturë policie me motoçikletën e tij. Sipas dëshmisë së babait të viktimës, Xheladin Hyseni, tre persona në veturë policore e kanë ndjekur djalin e tij, e kanë goditur me veturë, e kanë rrëzuar, ia kanë lidhur duart dhe më pas e kanë rrahur deri në alivanosje.


“Djali është dërguar në QKUK në gjendje të rëndë shëndetësore, ku mjekët kanë konstatuar shtypje të eshtrave. “Djali më ka thirrur në gjendje të rëndë. E çuam në QKUK. Atje pas ekzaminimit, mjekët konstatuan se ka lëndime serioze, shtypje të eshtrave. Kam dhënë deklaratë në polici, po ashtu edhe nga IPK-ja. Përveç dhunës fizike, ia kanë marrë edhe kuletën ku i kishte 300 euro, policia nuk kishte informacione se cilit stacion të rajonit të policisë i takonte vetura dhe pse ka ndodh ky rast. Nga IPK-ja i ngrisnin krahët e po ashtu edhe në stacionin e jugut ku isha nuk kishin ide se cilit stacion i takonte vetura”, ka deklaruar Hyseni për IndeksOnline.


Dje është ftuar edhe nga Prokuroria. Ai po ashtu si dëshmi e ka treguar raportin mjekësorë të QKUK-së, si dhe motorin të cilin dyshohet se e kanë goditur me veturën e policisë.

Në ndërkohë, policia e Kosovës nuk ka kthyer përgjigje për këtë rast. Ndërsa nga IPK-ja kanë konfirmuar se rasti është duke u hetuar.

“Duke ju referuar kërkesës suaj IPK ju konfirmon se lidhur me këtë rast sot ka pranuar një ankesë dhe hetuesit e IPK-së janë angazhuar në ndërmarrjen e veprimeve hetimore në koordinim me Prokurorin e Shtetit dhe për të verifikuar pretendimet e ngritura nga qytetari”, thuhet në përgjigjen e IPK-së./Indeksonline/