“Ngjarje e tmerrshme” – Haxhiu reagon pas krimit në Prizren, kërkon dënim maksimal

Pas ngjarjes së rëndë që tronditi opinionin publik në Prizren, ku një burrë turk me qëndrim të përkohshëm në Kosovë vrau vajzën e tij të mitur dhe plagosi rëndë vajzën tjetër 11-vjeçare, ka reaguar ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.
Në një deklaratë publike, ministrja Haxhiu ka shprehur dhimbjen dhe indinjatën e saj të thellë për këtë akt të rëndë të dhunës në familje, duke e quajtur atë një krim të patolerueshëm që duhet të ndëshkohet me ashpërsinë më të madhe të ligjit.
“Dhuna, në çfarëdo forme, është e papranueshme. Fëmijët kanë të drejtën e patjetërsueshme të jetojnë të sigurt dhe të mbrojtur”, u shpreh ministrja, duke shtuar se rastet e tilla janë alarm për gjithë shoqërinë dhe kërkojnë përgjigje të menjëhershme institucionale.
Ministrja, në cilësinë e Koordinatores Kombëtare për Mbrojtje nga Dhuna në Familje, ka shprehur ngushëllime për familjarët e vajzës së ndjerë dhe ka uruar shërim të shpejtë për vajzën e mbijetuar, e cila po trajtohet në institucionet mjekësore.
Sipas saj, institucionet janë angazhuar në trajtimin urgjent të rastit dhe në ofrimin e të gjithë mbështetjes së nevojshme për të mbijetuarën.