75 Mall Live Search
10:36 / E Mërkurë, 29 Tetor 2025 / MSH

Ngjarje si në filma: Ekuipazhi e harroi një grua në ishullin australian, kur u kthye e gjeti të vdekur

Autoritetet australiane kanë nisur hetimet pasi një grua 80-vjeçare, e cila u la pas në një ishull të Koraleve të Mëdha nga një anije turistike, u gjet e vdekur.

Gruaja kishte qenë duke bërë ecje në ishullin Lizard, me pasagjerë të tjerë nga anija turistike “Coral Adventurer” të shtunën, por besohet se është shkëputur nga grupi për të pushuar pak.

Anija u nis nga ishulli rreth perëndimit të diellit, por u kthye disa orë më vonë pasi ekuipazhi kuptoi se gruaja ishte zhdukur. Një operacion i madh kërkimi gjeti trupin e gruas të dielën në mëngjes, shkruan BBC-i, transmeton IndeksOnline.

Autoriteti Australian i Sigurisë Detare (AMSA) tha se po heton rastin dhe do të takohet me ekuipazhin e anijes kur ajo të ankorohet në Darwin, më vonë këtë javë.

Një zëdhënës i AMSA-s tha se u njoftua për herë të parë për gruan e zhdukur mbrëmjen e së shtunës, nga kapiteni i anijes.

Autoriteti tha se do të bashkëpunojë me agjenci të tjera përkatëse për të hetuar rastin dhe se e merr seriozisht sigurinë e pasagjerëve dhe ekuipazhit.

Drejtori ekzekutiv i Coral Expeditions, Mark Fifield, tha se stafi ka kontaktuar familjen e gruas dhe po ofron mbështetje për “vdekjen tragjike”.

“Ndërsa hetimet për incidentin po vazhdojnë, na vjen shumë keq që kjo ka ndodhur dhe po i ofrojmë mbështetjen tonë të plotë familjes së gruas”, tha Fifield.

Policia e Queensland tha se do të përgatitet një raport për mjekun ligjor në lidhje me “vdekjen e papritur dhe jo të dyshimtë” të gruas.