75 Mall Live Search
11:15 / E Mërkurë, 10 Shtator 2025 / MSH

Ngrihet aktakuzë ndaj ish-nënkryetarit të Mitrovicës dhe ish-drejtorit të Gjeodezisë

Prokuroria Speciale e Kosovës, ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurëve F.M dhe H.M., për veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Faruk Mujka, në pozitën e nënkryetarit të komunës së Mitrovicës së Jugut, dhe Hysen Muzliukaj, si drejtor i Drejtorisë për Gjeodezi, Kadastër dhe Pronë në të njëjtën komunë, akuzohen se me dashje dhe duke shfrytëzuar detyrën zyrtare, kanë tejkaluar kompetencat me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore të kundërligjshme për persona të tretë dhe në dëm të pronës publike.

Sipas aktakuzës, më 25.04.2021, të pandehurit, duke qenë në dijeni se Kuvendi i Komunës kishte marrë dy herë vendim për shpalljen me interes të posaçëm publik të një prone të paluajtshme, i paraqitën po këtij Kuvendi një Propozim-Vendim për këmbimin e të njëjtës prone, duke e paraqitur atë si pronë komunale, duke i shkaktuar dëm të konsiderueshëm prej 125,100.00 euro Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP).

Ndërkohë, i pandehuri Faruk Mujka akuzohet edhe për veprën penale “Mosraportimi ose raportimi i rremë i pasurisë, të ardhurave, dhuratave, dobisë tjetër materiale ose detyrimeve financiare”.

Në kuadër të aktakuzës, PSRK ka propozuar: Shqiptimin e dënimeve plotësuese ndaj Mujkës dhe Muzliukajt.