75 Mall Live Search
15:44 / E Hënë, 06 Tetor 2025 / P M

Ngritet aktakuzë për shitblerje të narkotikëve dhe armëmbajtje pa leje

Prokuroria Themelore në Gjakovë, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzë, kundër të pandehurit E.M.

Sipas aktakuzës, ndër të tjera ceket se më datë 11.08.2025 rreth orës 21:25 në Gjakovë Rr. “Gasper Karaqi”, i pandehuri me qëllim të shitjes ose shpërndarjes pa autorizim posedon, substanca apo preparate të cilat me ligj janë shpallur si narkotikë, substanca psikotrope ose analoge, në atë mënyrë që derisa i pandehuri ka qenë duke lëvizur përgjatë rrugës së lartcekur me automjetin e tij Audi A6 me targa të regjistrimit …., në një pik kontrolli është ndalur nga zyrtarët policor të NJRSH-së, ku gjatë kontrollit në çantën e të pandehurit gjenden dhe sekuestrohen gjashtë (6) qese të mbushura me substancë narkotike, ashtu që nga ana e hetuesve në mënyrë urgjente është kryer kontrolli dhe bastisja në banesën e të pandehurit me ç’rast janë gjetur dhe sekuestruar substanca narkotike, një peshore digjitale, dy palë gërshërë, një lugë metalike, shirit ngjitës, shkrepës dhe qese të vogla të zbrazëta, të cilat kanë shërbyer për përgatitjen dhe më pas shitjen apo shpërndarjen e substancës narkotike, të cilat janë sekuestruara nga hetuesit policor, me ç’rast pas ekzaminimit nga AKF sipas raportit është konstatuar substancë narkotike e llojit kokainë me peshë të përgjithshme 342.06 gram.  

Gjithashtu i pandehuri nga data e pa vërtetuar e deri më datë 11.08.2025, rreth orës 21:25 në Gjakovë, ka  mbajtur në pronësi armë në kundërshtim me Ligjin për Armë Nr.05/L-022, dhe atë një (1) pistoletë me gaz të llojit Zoraki dhe një (1) karikartor, e sekuestruar nga ana e policisë.

Me këto veprime i pandehuri E.M., ka kryer veprat penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikeve, substancave psikotrope dhe analoge” nga neni 267 par.1 të KPRK-së dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366 par.1 të KPRK-së.

Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar gjykatës që të pandehurin ta shpallë fajtor dhe të dënohet sipas ligjit për veprat penale të cilat i vihen në barrë.