Ngritja e çmimit të energjisë elektrike, ndërpritet puna në fabrikën e Feronikelit

Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci ka njoftuar se është ndërprerë përkohësisht puna në fabrikën e Feronikelit në Drenas. Deri të kjo ndërprerje, sipas Lladrovcit ka ardhur për shkak të krizës energjetike në Evropë dhe ngritjes së çmimit të energjisë elektrike për katër herë në tregjet globale.
“Pas takimit me menaxherin kryesor të kompanisë së Feronikelit, z. Genc Beribashi, me keqardhje u informova se për shkak të krizës energjetike në Evropë dhe ngritjes së çmimit të energjisë elektrike për katër herë në tregjet globale, ndërpritet përkohësisht puna në këtë kompani”, ka deklaruar Lladrovci.
Sipas tij, situata e ndërprerjes së punës Feronikelit deri në gjetjen e zgjidhjes, për neve si pushtet lokal është lajm tepër i dhimbshëm, për situatën që do të krijohet për punëtorët dhe familjet e tyre.
“Në takim me z. Beribashi shfaqa tërë shqetësimin tim dhe solidaritetin me gjendjen e rëndë dhe urova që sa më shpejt të stabilizohet çmimi i energjisë në tregjet globale dhe kompania Feronikeli të operojë me sukses sikur deri më tani, si burim i të ardhurave për mijëra familje të komunës tonë dhe më gjerë”, ka deklaruar ai.