Ngushtohet rrethi për kryeparlamentar, PDK s’i voton kandidatët e VV-së që deklaruan kundër Thaçit e UÇK-së

Kriza institucionale në Kosovë, e cila ka zgjatur mbi gjashtë muaj për shkak të mungesës së një marrëveshjeje politike mes partive parlamentare, sipas ish-deputetit të PDK-së Hajdar Beqa, po thellohet për shkak të kryeministrit në detyrë Albin Kurti.
Në FIVE në TV Dukagjini, Beqa akuzoi Kurtin se po e pengon qëllimisht konstituimin e institucioneve të reja.
“E shoh një vullnet të Kurtit për të mos pasur institucione Kosova. Nuk e di arsyen pse. Në një moment kur u bë publik, pjesa nga vendimi që ende nuk është publikuar, shumë zyrtarë të lartë të VV-së iu gjuajtën Gjykatës Kushtetuese, e sulmuan…”, ka thënë Beqa.
Beqa gjithashtu theksoi se PDK nuk do të votojë kandidatë për kryetar Kuvendi nëse ata kanë qenë pjesë e qeverisjes së kaluar ose kanë bërë deklarata kundër vlerave të UÇK-së dhe ish-krerëve të saj.
“Ish-ministra asnjë (nuk i votojnë). Atëherë në grupet parlamentar vendoset edhe në kryesi të PDK-së. Nuk mundemi me votu për shembull një deputet që ka qenë në kundërshtim ose ka dal kundër vlerave të Kosovës, të UÇK-së. Ose dikush që ka bërë një deklarim kundër Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit, Jakup Krasniqit. Kundër dëshmorëve, martirëve e UÇK-së. Nuk mund t’i votojmë këta njerëz. Tash duhet me pa kush është personi…”, ka shtuar Beqa.
Gjykata Kushtetuese ka urdhëruar konstituimin e Kuvendit brenda 30 ditëve nga publikimi i aktgjykimit të plotë, por ende nuk ka një datë të caktuar për seancën konstituive.
Deputetët urdhërohen ta konstituojnë Kuvendin brenda një afati 30-ditor dhe ta zgjedhin kryeparlamentarin përmes votimit të hapur, duke e hedhur në votim të njëjtin kandidat jo më shumë se tri herë.