75 Mall Live Search
15:02 / E Mërkurë, 25 Qershor 2025 / A. M.

Nikolovski: Nga Lindja e Mesme në Ballkan – nafta u bë armë, ndërsa energjia një aset ekonomik

Energjia përfaqëson një aset strategjik në negociatat ndërkombëtare dhe në mbrojtjen e sovranitetit shtetëror – pavarësisht nëse bëhet fjalë për furnizim me gaz, naftë apo burime të tjera, theksoi eksperti i energjisë  Dario Nikolovski për portalin “Lokalno”.

Tensionet gjeopolitike mes Izraelit dhe Iranit janë reflektuar edhe në ekonominë e Maqedonisë, para së gjithash përmes rritjes së çmimit të naftës dhe derivateve të saj. Ekonomia kërkon një strategji afatgjatë, pasi vendi është i varur nga importi. Qeveria siguron se po reagon me kohë ndaj zhvillimeve globale.

Pas fillimit të konfliktit, çmimi i naftës u rrit me mbi 4% brenda një dite, gjë që ngjalli shqetësime për inflacion dhe rritje të kostove të prodhimit. Sipas ekspertit të energjisë dhe ish-drejtorit të Agjencisë për Energjetikë, Dario Nikolovski, tregu është shumë i ndjeshëm ndaj çdo kërcënimi që lidhet me rrugët kyçe të transportit si Ngushtica e Hormuzit. Ai paralajmëron se çmimi i naftës ndikon në të gjitha produktet, duke e ulur drejtpërdrejt standardin e jetesës së qytetarëve.

Nikolovski kujton se energjia është një armë strategjike në gjeopolitikë. Si shembull e përmend krizën me gazin rus gjatë sulmit ndaj Ukrainës, kur Evropa u përball me rrezikun e një kolapsi energjetik.

Ai propozon që Maqedonia të investojë në termocentrale kogjenerative dhe sisteme të baterive për ruajtjen e energjisë, si dhe të përqendrohet në realizimin e projekteve të mëdha si Hidrocentrali i Çebrenit, me qëllim arritjen e pavarësisë energjetike.

Ndërkohë, pas paralajmërimeve për armëpushim, çmimet e naftës ranë. Nafta Brent u ul me 4,66% në 68,15 dollarë, ndërsa ajo amerikane me 4,64% në 65,33 dollarë për fuçi. Lehtësimi i sanksioneve ndaj Iranit mund të rrisë ofertën dhe të stabilizojë tregun. Megjithatë, nëse konflikti vazhdon, çmimet e energjisë dhe ushqimeve mund të rriten edhe më tej – ashtu siç ndodhi pas fillimit të luftës në Ukrainë.