Nis dezinfektimi i objekteve private dhe publike në Klinë

Klina vazhdon të jetë një nga komunat e izoluara, pasi që një shtetase italiane që kishte shkuar për të punuar vullnetarisht në një kamp italian në fshatin Leskoc doli të jetë e infektuar me koronavirus.
E, kryetari i kësaj komune, Zenun Elezaj përmes një postimi të bërë në faqen zyrtare ka bërë të ditur se si masë parandaluese sot ka nisur dezinfektimi i objekteve private dhe publike në Klinë.
Ky është postimi i tij:
Si masë parandaluese ndaj përhapjes së virusit COVID-16, sot kemi filluar dezinfektimin e hapësirave dhe objekteve publike dhe private.
Fillimisht është bërë dezinfektimi i Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare, i objektit të Komunës, Qendrës për Punë Sociale, ndërsa do të bëhet dezinfektimi i shkollave, Stacionit të Policisë dhe në objekte të tjera të banimit kolektiv në qytet.
Po ashtu, gjatë ditës kam vizituar policinë në disa pika të kontrollit në hyrje dalje të Klinës, ku po bëjnë zbatimin e vendimit të Qeverisë së Kosovës që Klina të jetë në karantinë.
Falënderoj stafin shëndetësor, farmacistet dhe punëtoret e barnatorëve, vullnetarët e shumtë, policinë, zjarrëfikësit e punëtorët e palodhshëm të KRM “Ambienti” e KRU “Hidrodrini”, që me vullnet të madh po angazhohen për parandalimin e përhapjes së këtij virusi.
Po ashtu punëtorët e sektorit privat, siç janë punëtorët e marketeve, furrave të bukës dhe pompave të derivateve, të cilët duhet të punojnë edhe në këto ditë kur të tjerët mund të qëndrojnë në shtëpi.
