Nis faza përfundimtare e gjykimit në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së
Që nga sot, procesi gjyqësor ndaj ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Hagë ka hyrë në fazën përfundimtare. Në Dhomat e Specializuara do të zhvillohen fjalët përmbyllëse të palëve, një etapë vendimtare para se trupi gjykues të tërhiqet për vendimmarrje.
Sipas agjendës, seancat e para do t’i takojnë prokurorisë, më pas përfaqësuesit të viktimave, ndërsa në fund fjalën përmbyllëse do ta paraqesë mbrojtja e të akuzuarve.
Në seancën e fundit të kësaj faze, të akuzuarit Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, do të kenë nga 20 minuta secili për të dhënë deklarimet e tyre personale para gjykatës.
Kjo fazë pritet të zgjasë deri më 18 shkurt dhe konsiderohet një nga momentet më të rëndësishme të gjithë procesit gjyqësor, pasi përmbledh argumentet përfundimtare të të gjitha palëve para shpalljes së aktgjykimit në të ardhmen./IndeksOnline/

