Nis fushata zgjedhore në katër komunat e veriut
Sot fillon fushata zgjedhore për zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar të katër komunave në veri të vendit, Leposaviq, Zubin Potok, Zveçan dhe Mitrovicë Veriore, që mbahen më 19 maj.
Fushata zgjedhore do të nisë dhe do të
vazhdojë deri më 17 maj, ka bërë të ditur për Radio Kosovën, zëdhënësi në
Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi.
Afati për dërgimin e kërkesave në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për akreditim
të vëzhguesve për zgjedhjet e jashtëzakonshme në katër komunat në veri të
vendit, përfundoi të dielën.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi ka theksuar për media se vetëm vëzhguesit e
akredituar nga ky komision do të mund t’i përcjellin këto zgjedhje.
”Akreditimi i personave apo i vëzhguesve që kanë aplikuar do të bëhet gjatë
mbledhjeve të ardhshme të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Pra, gjatë
mbledhjeve të cilat do të mbahen gjatë javës që po vie”, tha Elezi.
Ndërkaq, duke filluar nga dita e hënë dhe deri më 17 maj, subjektet politike
kanë të drejtë që të organizojnë tubimet e tyre në kuadër të fushatës
zgjedhore. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve fton subjektet politike, kandidatët
dhe mbështetësit e tyre, që t’u përmbahen ligjeve të Republikës së Kosovës dhe
rregullave zgjedhore, sepse vetëm në këtë mënyrë do t’i kontribuojnë një
procesi zgjedhor të rregullt të pranuar, tha Elezi.
”Pa dyshim se subjektet politike, kandidatët dhe mbështetësit e tyre kanë rolin
kryesor në proces zgjedhor të qetë, të lirë dhe demokratik. Prandaj, ne bëjmë
thirrje që kjo të arrihet”, tha ai.
Komisionin Qendror të Zgjedhjeve ka angazhuar 670 komisionerë për zgjedhjet e
jashtëzakonshme për kryetar të katër komunave në veri të vendit që do të mbahen
më 19 maj, komisionerët do të angazhohen në 44 qendra të votimit në gjithsej 87
vendvotime. Të drejtë vote në Mitrovicën veriore kanë 22 242 persona; në
Leposaviq 18 390 persona në Zveçan 9.276 persona dhe në Zubin Potok 8 612
persona.
Presidenti i vendit, Hashim Thaçi ka shpallur zgjedhjet për katër komunat
veriore të Kosovës pas dorëheqjes që kryetarëve serbë kishin dhënë në shenjë
proteste për taksën prej 100 për qind ndaj produkteve me origjinë nga Serbia
dhe Bosnjë e Hercegovina.