Nis intervistimi i kandidatëve për tri pozita të gjyqtarit në Gjykatën e Apelit
Në objektin e Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK) ka nisur intervistimi i kandidatëve për tri pozita të lira për gjyqtar në Gjykatën e Apelit.
Kujtojmë se sipas listës që KGJK-ja e ka bërë publik, kanë aplikuar 15 kandidatë për këto tri pozita, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Këshilli Gjyqësor i Kosovës në mbledhjen e 352-të më 30 shtator 2025, kishte shpall konkurs për avancimin e tre gjyqtarëve në Gjykatën e Apelit.
Në këtë takim ishte caktuar edhe paneli për intervistim me këtë përbërje: Albert Zogaj- kryetar, si edhe anëtarët: Teuta Ibrahimi, Burim Ademi, Kadrije Goga-Lubishtani dhe Drita Rexhaj.
Ndryshe, “Betimi për Drejtësi” kishte raportuar lidhur me listën e kandidatëve që janë në garë për gjyqtar në Gjykatën e Apelit.
Procesi i avancimit bazohet në Rregulloren nr. 01/2014 për procedurën e ngritjes në detyrë për gjyqtarë dhe plotësimet/ndryshimet e Rregullores nr. 04/2023.
Sipas këtyre akteve nënligjore, kandidatët e suksesshëm mund të poentohen deri në 100 pikë, dhe kandidati duhet të arrijë së paku 70 pikë që të mund të rekomandohet për votim në këshill, e që i njëjti pastaj të votohet për ngritje në detyrë.
Sipas Rregullores, vlerësimi i fundit i performancës vlerësohet me 50 pikë, aftësitë profesionale me 15 pikë, analizimi dhe interpretimi i normave ligjore dhe akteve ndërkombëtare me 15 pikë, përvoja e punës si gjyqtar dhe aftësia për të punuar me ngarkesë me 10 pikë, si dhe performanca profesionale dhe integriteti profesional me 10 pikë.
Pas përfundimit të intervistimit, hartohet raporti përfundimtar i vlerësimit të kandidatëve, duke nxjerrë pikët nga secili anëtar i panelit dhe mesataren e pikëve.
Në këtë raport përfundimtar, po ashtu njihet e drejta për kërkesë rishqyrtimi brenda 5 ditësh, dhe pas kësaj, kandidatët me mbi 70 pikë rekomandohen në këshill për votim.

