Nis Java e Agjencisë së Menaxhimit Emergjent, synohen vetëdijesimi dhe afërsia me qytetarët

Agjencia e Menaxhimit Emergjent në hapje të Javës së aktiviteteve ekspozuan pajisjet e zjarrfikësve, ekipit të barrierave dhe ekipit për shuarjen e zjarreve malore nga toka.
Drejtori i AME-së, Genc Metaj, tha se qëllimi i tyre është që të ndikojnë në vetëdijesim dhe afërsinë me qytetarët.
“Qëllimi ynë është edhe të promovojmë rolin dhe rëndësinë e Agjencisë së Menaxhimit Emergjent, të njësive profesionale të zjarrfikjes dhe shpëtimit, strukturave të mbrojtjes, shpëtimit dhe ndihmës si dhe masat që duhet të ndërmerren në rast të fatkeqësive, veçanërisht të fokusohemi në parandalimin e tyre”, tha Metaj.
Në këtë aktivitet ishte i pranishëm edhe ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.
Agjencia e Menaxhimit Emergjent udhëheq dhe koordinon përpjekjet shtetërore në parandalim, gatishmëri, reagim dhe rimëkëmbje në rastet e emergjencave.