12:09 / E Premte, 09 Prill 2021 / OSH

Nis ndërtimi i qerdhes në Dardani, qytetarët ankohen se po shkatërrohet hapësira gjelbëruese

Në komunën e Prishtinës, saktësisht në “Dardani” ka filluar puna e ndërtimit të qerdhes së re, sot.

Banorët përveç që janë ankuar që në ditë pushimi eskavatorët kanë nisur punën, ata janë ankuar se po shkatërrohet hapësira gjelbëruese.

“SKANDAL!

Komuna e Prishtinës shkatërron ato pak hapësira të mbetura me gjelbrim!!!???

Sot 9 prill – është festë zyrtare, ditë pushimi për shkak të ditës së Kushtetutës. Banorët të gjithë në shtëpitë e tyre pa mundur të shkojnë gjetiu për shkak të pandemisë dhe zhurma e tmerrshme e këtij bageri nuk i lejon banorët ta shijojnë këtë ditë feste me familjarët e tyre, ndonëse në ditë pushimi s’do duhej assesi të punohej!

Duan të bëjnë qerdhe pa i pyetur kush banorët!.  Madje thuhet që BE qenka financues. Nuk e besoj të jetë standard i BE- së, dëmtimimi mjedisit dhe betonizimi pa kriter i hapësirave të gjelbërta!!!

Nuk ndërtohet një qerdhe, vetëm pse dikush ka parë diku një hapësirë të gjelbërt që ka mbetur pa u betonizuar! Mentalitet arkaik ky!!!

Në vend që të ndërtohet një PARK I GJELBËRT multifunksional që do të mund ta shfrytëzonin të gjitha moshat e banorëve, prej fëmijëve të lagjes me prind të punësuar e të papunësuar, e deri të pensionerët, këta pushtetarë të papërgjegjshëm komunalë ia prejnë lagjes të vetmen mushkëri të mbetur pa u betonizuar!

Banorët kanë lajmëruar policinë dhe inspektorët komunalë për mos shqetësim në këtë ditë pushimi, por të cilët s’gjinden gjëkundi! Turp turp turp !!!”, ka shkruar një qytetar në “Facebook”.

IndeksOnline ka kontaktuar me drejtorin e Inspekcionit në Prishtinë, Adonis Tahiri, i cili tha se projekti ndërmjet drejtorisë së Arsimit dhe Bashkimit Evropian është me leje.

“Ekipet tona kanë qenë aty, është projekt i drejtorisë së Arsimit dhe BE-së, i cili është me leje”, tha shkurt ai./IndeksOnline/