Nis numërimi i votave të ardhura me vonesë nga diaspora
Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve ka filluar numërimi i votave të ardhur me vonesë nga diaspora.
QNR do të numëroj saktësisht 4689 fletëvotime të diasporës.
Në orët e sotme të paradites është përmbyllur procesi i certifikimit të pakove me fletëvotime.
Zëdhësi i KQZ-së, Valmir Elezi para mediave tregoi se pse 1 mijë e 212 pako janë refuzuar për numërim.
“Pas vendimit të Gjykatës Supreme, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka filluar me procedimin konform vendimit të kësaj gjykate. “

“Fillimisht, meqenëse bëhet fjalë për fletëvotime nga jashtë vendit, kemi filluar me procesin e vlerësimit të pakove të supozuara me fletëvotime. “
“Procesi i vlerësimit është i domosdoshëm pasi vetëm në këtë mënyrë ne arrijmë të vërtetojmë nëse pakoja me fletëvotim është dërguar nga personi i regjistruar suksesshëm si votues jashtë vendit.”
“Gjithashtu, në këtë proces ne arrijmë të dijmë nëse brenda një dërgese ka më shumë se një pako me fletëvotime.”
” Pra, duke u mbështetur në vendimin e Gjykatës Supreme, janë vlerësuar 4 mijë e 639 pako të supozuara me fletëvotime dhe në fund kemi 5 mijë e 882 pako me fletëvotime të individualizuara.
“Pas vlerësimit të tyre janë aprovuar 4 mijë e 670, ndërsa janë refuzuar 1 mijë e 212. Arsyet e refuzimit të tyre kategorizohen në 5 grupe si në vijim: • 535 raste kur kanë dërguar pako me fletëvotime persona që nuk janë regjistruar suksesshëm si votues në listën votuese jashtë Kosovës; • 115 raste janë kur kanë dërguar pako me fletëvotime persona që janë refuzuar për t’u regjisturar si votues jashtë Kosovës; • 128 raste të tjera që kanë dërguar fletëvotime persona që nuk kanë dërguar kopje të dokumentit për t’u identifikuar; • 159 raste kur personat kanë dërguar fletëvotime më shumë se një herë; dhe • 275 raste kur personat që kanë dërguar fletëvotime kanë pasur kopje të dokumentit me afat të skaduar. Pra, vetëm zarfet e supozuara me fletëvotime do të numërohen këtu në QNR, e që janë gjithsejt 4 mijë e 670.”, tha Elezi.
