75 Mall Live Search
14:02 / E Martë, 01 Korrik 2025 / S Z

Nis periudha e aplikimit për akreditimin e vëzhguesve dhe mediave për vëzhgim të zgjedhjeve lokale

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve njofton se më 1 korrik 2025 ka filluar periudha e aplikimit për akreditimin e vëzhguesve dhe mediave për vëzhgimin e zgjedhjeve lokale për kyetarë të komunave dhe kuvende komunale.

Me qëllim të lehtësimit të aplikimit, KQZ-ja ka funksionalizuar platformën elektronike, e cila do t’u shërbejë subjekteve politike për të paraqitur aplikimin e tyre online.

Subjektet politike të certifikuara, OJQ-të, organizatat qeveritare dhe ndërqeveritare, organizatat ndërkombëtare të specializuara të cilat merren me zgjedhjet dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut, mediat si edhe përfaqësuesit e vendeve të huaja, mund të dorëzojnë online kërkesën e tyre për akreditimin e vëzhguesve brenda afateve, si në vijim:

§ Afati për dorëzimin e kërkesës për akreditimin e vëzhguesve të subjekteve politike, që do të certifikohen për pjesëmarrje në zgjedhje lokale, do të përfundojë, më 17 shtator 2025;

§ Afati për dorëzimin e kërkesës për akreditimin e vëzhguesve të OJQ-ve vendore, organizatave qeveritare e ndërqeveritare, organizatave ndërkombëtare dhe përfaqësuesve të vendeve të huaja, do të përfundojë, më 27 shtator 2025;

§ Afati për dorëzimin e kërkesës për akreditimin e mediave vendore dhe ndërkombëtare do të përfundojë, më 7 tetor 2025.

Si bëhet aplikimi?

Hapi i parë: Përfaqësuesi i autorizuar (i organizatës joqeveritare, organizatës qeveritare/ndërqveritare, organizatës ndërkombëtare të specializuar në zgjedhje dhe të drejtat e njeriut; mediave; dhe përfaqësuesi i vendeve të huaja) duhet të plotësojë online të dhënat që kërkohen në platformën: https://apliko.kqz-ks.org

Hapi i dytë: Pas aplikimit, zyra për regjistrim, certifikim dhe kontrollin financiar të subjekteve politike (ZRCKFSP) do të shqyrtojë dhe do të miratojë ose jo aplikimin fillestar. Pas vërtetimit të aplikimit, ZRCKFSP-ja, do t’i përcjellë përmes e-mailit përfaqësuesit të autorizuar kredencialet për t’u qasur në platformën online në mënyrën që të bashkangjesë edhe të dhënat për personat e organizatës / medias që kërkon të akreditohen.

Informacione shtesë: Për më shumë informacione dhe sqarime, mund të kontatoni në zyrë përmes e-mailit zyra.kqz@kqz-ks.org apo përmes telefonit +383 38 200 81 010, i qasshëm nga ora 08:00 deri në orën 16:00.

Vetëm vëzhguesit e akredituar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të mund t’i vëzhgojnë zgjedhjet lokale për kryetarë të komunave dhe për kuvende komunale, të cilat do të mbahen, më 12 tetor 2025 dhe aktivitetet e tjera që do të zhvillohen në 38 qendrat komunale të numërimit (QKN) dhe qendrën e numërimit dhe rezultateve (QNR).