75 Mall Live Search
19:45 / E Enjte, 04 Gusht 2022 / OSH

Nis protesta për vdekjen e 7-vjeçares në Himarë, e afërmja e familjes: S’ka fjalë për dhimbjen e tyre

Ka nisur grumbullimi i personave që po marrin pjesë në protestën që do zhvillohet para Ministrisë së Brendshme, e thirrur kjo nga Shoqëria Civile nën moton: “Nuk e vrau varka, por shteti”.

Kjo protestë vjen pas tragjedisë së ndodhur në plazhin e Potamit në Himarë, ku vogëlushja 7-vjeçare Jonada Avdia, u aksidentua për vdekje nga një skaf që drejtohej nga komisari Arjan Tase, i cili më parë kishte mbajtur edhe postin e kreut të Komisariatit të Himarës.

Ndërkohë kujtojmë se përgjatë këtyre ditëve, janë mbajtur homazhe, me qirinj e lule, në vendin ku e vogla humbi jetën, si dhe para Kryeministrisë.

Po ashtu edhe Dom Gjergj Meta organizoi ditën e djeshme një marshim homazh në Shëngjin, që nisi nga Kisha e Shëngjinit në orën 19:00 dhe vijoi përgjatë bregdetit, ku qytetarët mbajtën lule dhe qirinj në duar.

Në mbështetje të kësaj proteste ka dalë edhe Partia Demokratike, si dhe Partia e Lirisë.

“Ajo që ka ndodhur në familjen tonë është shumë e rëndë. Nuk kam komente për atë çfarë ndjen Bledi dhe Ermira. Dhimbja e tyre peshon aq rëndë sa nuk mund tua shpjegoj dot. Nuk mund tua shpjegoj se si është Bledi sot, gjyshe Nazmia, gjysh Ismeti, hallat që kanë parë skenën. Unë dua që të mos bëjnë politikë për këtë çështje. Bledi e ka pasur kapur prej dore vajzën. Kanë qenë duke notuar në breg të detit së bashku. Skafi ka ardhur e ka goditur njëherë, më pas e ka xhiruar dhe trupin e vajzës e ka grirë përmes helikave. Kam vetëm trishtim për atë që i ka ndodhur djalit të dajës tim. Sot kamë dal për Jonadën, për Dean. Kam dalë që ajo që i ka ndodhur Jonadës të mos i ndodh askujt në botë.”