75 Mall Live Search
13:32 / E Enjte, 14 Prill 2022 / AR

Nis reforma në sistemin prokurorial, Kurti ka diçka për t’u thënë deputetëve


Projektligji për Këshillin Prokurorial të Kosovës, është miratuar në parim në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka falënderuar deputetët që sot i dhanë mbështetje në parim këtij projektligji, raporton Indeksonline.

Postimi i plotë:

Falënderoj deputetët e Kuvendit që me 63 vota PËR në seancën e sotme i dhanë mbështetje në parim një projektligji të rëndësishëm për sistemin prokurorial dhe jetik për shtetin e së drejtës.

Më në fund do të arrihet balanci ndërmjet anëtarëve të përzgjedhur prokurorë dhe atyre jo prokurorë. Në këtë mënyrë, ligji i ri do të zhvendosë diskutimin e takimeve të KPK-së nga interesat vetanake të prokurorëve, tek interesat që kanë në fokus fuqizimin e sistemit prokurorial, veprimin energjik të prokurorëve dhe aktakuzat e fuqishme të cilat nuk mundësojnë lirimin e kriminelëve me kusht por sigurojnë zbatimin e ligjit për kategori të tilla. 

Përbërja e ardhshme e Këshillit Prokurorial ka përgjegjësi të madhe e unike – të tregojë se nga reforma e filluar mund të kontribuojë dukshëm në fuqizimin e sundimit të ligjit, të dëshmojë partneritet e bashkëpunim ndërinstitucional në çështjet e rëndësishme për vendin, duke mos tentuar të arsyetojë mosveprimin me pavarësi të sistemit gjyqësor por të dëshmojë pavarësinë në ushtrimin e detyrave të përcaktuara me ligj. 

Projektligji i votuar sot do të ngritë pashmangshëm llogaridhënien dhe transparencën në sistemin prokurorial, veti këto të domosdoshme e aq të munguara brenda sistemit të drejtësisë.

Ky është vetëm fillimi i reformës.