11:42 / E Premte, 04 Dhjetor 2020 / OSH

Nis seanca e jashtëzakonshme për votimin e Projektligjit për Rimëkëmbjen Ekonomike

Seanca e jashtëzakonshme e paraparë të nis nga ora 11:00 sapo ka filluar në Kuvendin e Kosovës.

Në këtë seancë, të thirrur nga Partia Demokratike e Kosovës, në rend dite është vetëm një pikë dhe kjo shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr. 07/L-016 për rimëkëmbjen ekonomike – COVID-19.

Ndryshe Komisioni për buxhet dhe transfere me 6 vota për dhe 3 kundër, ka votuar raportin me rekomandime për Projektligjin për rimëkëmbjen ekonomike. E votimit të këtij raporti i ka paraprirë miratimi i 4 amendamenteve të propozuara nga Partia Demokratike e Kosovës.

Kuvendi i Kosovës me 64 vota për, asnjë votë kundër dhe asnjë votë abstenim, pati votuar  në lexim të parë Projektligjin për rimëkëmbje ekonomike nga pandemia COVID-19.

Ky projektligj kishte dështuar të votohej për gjashtë herë që nga muaji gusht kur ishte prezantuar për herë të parë në Kuvend. Ndërsa sot pritet të kalojë në shqyrtim të dytë Projektligji për rimëkëmbjen ekonomike.

Në seancën e sotme janë të pranishëm 93 deputetë./IndeksOnline/