10:38 / E Enjte, 27 Maj 2021 / OSH

Nis seanca e Kuvendit, PDK kundërshton VV-në për futjen e dy propozimeve në rend dite

Ka nisur seanca e Kuvendit të Kosovës ku do të mbahen debat në lidhje me organizimin e arsimit në të gjitha nivelet në situatën e pandemisë.

Deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje kanë kërkuar që në rend të ditës të futet edhe raporti vjetor i punës së Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP) dhe raporti për emërimin e kryetarëve dhe anëtarëve të Bordit të Autoritetit Rregullativ të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP), shkruan Gazeta Express.

“Para miratimit të rendit të ditës, dua të propozojë dy pika shtesë. Në emër të GP-së së VV-së propozojë futjen në rend të ditës edhe të dy rekomandimeve të miratuara në Komisionin Parlamentar për Ekonomi, Ndërmarrësi dhe Tregti. I pari ka të bëj me raportin vjetor të punës të AKP-së dhe i dyti me raportin lidhur me emërimin e kryetarit dhe anëtarëve të Bordit të ARKEP”, ka thënë ushtruesja e detyrës së shefes së Grupit Parlamentar të LVV-së, Mimoza Kusari-Lila.


Në ndërkohë deputeti i PDK-së dhe kryetari i Komisionit për Ekonomi, Ferat Shala, tha se këto propozime ende nuk janë procesuar në Kuvend.

Rendi i ditës:

1. Deklarimet jashtë rendit të ditës,

2. Pyetjet parlamentare,

3. Miratimi i procesverbaleve nga seancat e mëparshme,

4. Shqyrtimi i Raportit vjetor të Autoritetit Kosovar të Konkurrencës për vitin 2020,

5. Formimi i Komisionit Ad hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për tre anëtarë të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës,

6. Formimi i Komisionit Ad hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për tre anëtarë të Komisionit të Pavarur për Media,

7. Shqyrtimi i Propozim-vendimit për ndryshimin dhe plotësimin e vendimit nr. 08-V-006, dt. 02.04.2021 për formimin e komisioneve parlamentare,

8. Debat parlamentar në lidhje me organizimin e arsimit në të gjitha nivelet në situatën e pandemisë COVID-19.