Nis seanca e Kuvendit, shkarkohen 5 anëtarë të KPMSHCK-së

(E plotësuar) Me 62 vota për, asnjë kundër, Kuvendi ka votuar pro shkarkimit 5 anëtarëve të KPMSHCK-së.
—-
Kuvendi i Republikës së Kosovës ka vijuar seancën plenare të nisur më 24 qershor. Kësisoj, kanë mbetur edhe shtatë pika, ku do të fillohet me votimin për shkarkimin e pesë anëtarëve të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës.
Vlen të theksohet se seancën e kaluar, Kuvendi shqyrtoi rekomandimin e Komisionit për Administratë Publike, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal për shkarkimin e këtyre anëtarëve, të paraqitur nga Doarsa Kica – Xhelili, kryetare.
Drejtoria për Marrëdhënie me Publikun e Kuvendit të Kosovës ka njoftuar se sot do të vazhdojë seanca plenare të Kuvendit.
Në rend dite do të jenë 7 pika: Votimi i Rekomandimit të Komisionit për Administratë Publike, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal për shkarkimin e pesë (5) anëtarëve të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës; Shqyrtimi i Rekomandimeve të Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike lidhur me Raportin e Auditimit të performancës “Efektiviteti i ndërlidhjes së arsimit dhe aftësimit profesional me nevojat e tregut të punës”; Shqyrtimi i Rekomandimeve të Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike për Raportin e Auditimit të performacës zbatimi i rekomandimeve të raportit “Administrimi i programit për trajtim mjekësor jashtë institucioneve shëndetësore publike dhe vlerësimi i rezultateve”; Shqyrtimi i Rekomandimeve të Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike lidhur me Raportin e Auditimit të performacës “Procesi i licencimit të shfrytëzuesve të mineraleve ndërtimore e industriale dhe mbrojtja e ambientit nga kjo veprimtari”; Shqyrtimi i Rekomandimeve të Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike për Raportin e Auditimit të performacës “Organizimi dhe menaxhimi i Investimeve të Teknologjisë së Informacionit në Institucionet Publike”; Formimi i Komisionit ad-hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për një (1) anëtar të Bordit për Ankesa të Mediave; Propozim-rezoluta nga debati parlamentar në lidhje situatën ekonomike si pasojë e pandemisë COVID-19.