Nis seanca fillestare për Urim Hysenin i cili akuzohet se vrau nënën e tij, ai kërkon që seanca të jetë e mbyllur

Ka nisur seanca fillestare në Gjykatën Themelore të Pejës për rastin në të cilin akuzohet Urim Hyseni. I njejti akuzohet se më 14 prill ka kryer njërën nga vrasjet më të rënda në Kosovë.
Ai akuzohet se vrau në mënyrë mizore nënën e tij, Hajrije Hysenin.
Për këtë rast, Prokuroria Themelore në Pejë më 9 tetor 2023, ka ngritur aktakuzë ndaj Urim Hysenit, i cili akuzohet se vrau në mënyrë mizore nënën e tij, Hyrije Hyseni. Seanca fillestare në këtë rast, ka nisur të mbahet sot më 17 nëntor 2023.
Gjatë fillimit të seancës fillestare, mbrojtësja e viktimave, ka kërkuar nga Gjykata që seanca të mbyllet për publikun.
Këtë kërkesë e ka mbështetur prokurorja e rastit, Saide Gashi.
“Prokuroria plotësisht pajtohet me mbrojtesin e viktimave që ky shqyrtim të jetë i mbyllur.”, ka thënë prokurorja e rastit.
Ndërkohë avokati i të akuzuarit për këtë vrasje, Asdren Mekaj, ka theksuar se pajtohet me kërkesën e mbrojtëses së viktimave që seanca të jetë e mbyllur.
“Edhe ne kerkojmë që kjo seancë të jetë e mbyllur për publikun për arsye se gjatë kësak seance do të flasim për një ekspertizë që flet për gjendjen shëndetësore të klientit tim. Andaj çdo diskutim në lidhje me këtë ekspertizë duhet të jetë i mbyllur për publikun.”, ka thënë avokati.
Gjyqtarja e rastit, Violeta Husaj-Rugova ka pyetur të akuzuarin për këtë vrasje Urim Hysenin se a pajtohet edhe ai që seanca të jetë e mbyllur, ai me kokë ka pohuar që po.
“I pandehuri Urim Hyseni pyetet nëse pajtohet me atë çka tha mbrojtësi, i njejti, pohon me kokë se po. Pas kësaj, gjykata bie aktvendim që seanca të jezë e mbyllur”./Indeksonline/