75 Mall Live Search
13:28 / E Mërkurë, 23 Prill 2025 / MSH

Nis seanca gjyqësore ndaj Jon Hotit për vrasjen e dy të rinjve në Klinë

Jon Hoti, i akuzuar për vrasjen e dyfishtë që tronditi Klinën në nëntor të vitit 2024, është paraqitur sot në Gjykatën Themelore të Pejës. Seanca gjyqësore ndaj tij sapo ka nisur, ndërsa prokuroria pritet të paraqesë provat për ngjarjen e rëndë që ka ngjallur reagime të shumta publike.

Sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Themelore në Pejë – Departamenti i krimeve të rënda, më 13 nëntor 2024, Jon Hoti ka privuar nga jeta dy kushërinjtë Rexhep Shlivova dhe Allison Shlivova, duke shtënë me armë zjarri në drejtim të tyre në një lokal në qendër të Klinës.

Hetimet tregojnë se i pandehuri kishte organizuar një takim me viktimat përmes rrjeteve sociale. Gjatë atij takimi, ai dyshohet se ka nxjerrë armën në mënyrë të fshehtë dhe ka qëlluar për vdekje, duke rrezikuar edhe personat e tjerë të pranishëm në lokal.

Gjykata më herët i kishte caktuar të dyshuarit masën e paraburgimit prej një muaji, ndërsa sot procesi gjyqësor ka hyrë në fazën e parë. Pritet që gjatë shqyrtimit të dalin më shumë detaje rreth motiveve dhe rrethanave të kësaj ngjarjeje tragjike.