Nis seanca në Hagë, vazhdojnë deklaratat përmbyllëse në rastin “Thaçi dhe të tjerët”
Edhe sot ka nisur seanca para trupit gjykues në Hagë, ku po vazhdojnë të dëgjohen deklaratat përmbyllëse në rastin ndaj ish-krerëve të UÇK-së.
Seanca ka filluar në orën 09:00. Kjo është dita e tretë me radhë e fazës përfundimtare të njërit prej proceseve më të mëdha gjyqësore që po zhvillohet në Dhomat e Specializuara të Kosovës.
Sipas njoftimeve, sot pritet që avokati i Hashim Thaçi, Lluka Mishetiq, të nisë shpalosjen e deklaratës përmbyllëse të mbrojtjes. Gjatë kësaj dhe javës së ardhshme, Prokuroria, mbrojtësi i viktimave, ekipet mbrojtëse dhe të akuzuarit do të kenë mundësinë t’i drejtohen për herë të fundit trupit gjykues me parashtrimet e tyre.
Të hënën, prokurorja e specializuar Kimberly West kërkoi që Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi të dënohen me nga 45 vjet burg.
Ndërkohë, më 15 prill 2025, Zyra e Prokurorit të Specializuar e kishte mbyllur çështjen e saj, ndërsa në vendimin e 16 korrikut 2025, trupi gjykues kishte hedhur poshtë mocionin e përbashkët të mbrojtjes për rrëzimin e akuzave, në bazë të rregullës 130 të Rregullores së Procedurës.

